Meggle Albania është filiali I kompanisë gjermane të produkteve të bulmetit Meggle AG dhe është prezent në Shqipëri që nga viti 2010. Meggle Albania, me markën e saj Fast, është një nga kompanitë më të mëdha të fushës në vend dhe është e instaluar në Rrogozhinë.
Menaxherët e saj kanë njoftuar të gjithë nënkontraktorët dhe pikat e pakicës se 31 marsi është afati i fundit i produkteve vendase në treg. Tani janë duke bërë shpërndarjet e fundit dhe linjat e prodhimit janë nxjerrë në shitje. Burimet brenda Meggle pohuan se, gjatë 2014-s, kompania rezultoi me humbje sistematike. Arsyeja kryesore duket se ishte konkurrenca e pandershme. Meggle blinte qumësht cilësor te furnitorët me 50 lekë për litër, ndërsa kompanitë etjera e grumbullonin jo më shumë se 30 lekë për litër, duke mosrespektuar standardin. Në këtë mënyrë, Meggle e ka pasur të pamundur të përballojë kostot duke ofruar çmime konkurruese. Prandaj ka vendosur që të furnizojë tregun vendas nga fabrikat e tjera që ka në Gjermani dhe në rajon.
Më datë 5 qershor 2013, Meggle njoftoi në Qendrën Kombëtare të Regjistrimit (QKR) për humbjen kontabël nëshumën 261 milionë lekë për vitin e mbyllur 2013. Vlera kaloi si humbje vitet e mëvonshme. Nisur nga kjo situatë, Meggle krijoi kapitalin rezervë nëpërmjet kalimit të kredisë së dhënë nga shoqëria Meggle EasternEuropë me shumën prej 2 milionëeurosh. Burimet pranë kompanisë pohuan se, humbjet kanë vijuar me vlera të larta edhe për vitin 2014. Në përpjekje për të siguruar mbijetesën, Meggle ndryshoi kompaninë audituese dhe Administratorin Rudolf Reichl dhe vendosi emërimin e administratorit të ri të shoqërisë, Ilir Toshi. Sipas pasqyrave financiare të dorëzuara në QKR, kompania në vitin 2012 realizoi të ardhura nga shitjet 379 milionë lekë, me një rënie 20% në krahasim me vitin 2011. Tkurrja e qarkullimit vjetor vijoi dhe në 2013-n, me një rënie prej 16%. Pavarësisht se kompania kishte shitjet më të mëdha në këtë periudhë në krahasim me operatorët e tjerë të tregut nuk ka pasur rezultate pozitive, pasi këto të ardhura nuk kanë mbuluar kostot. Në vitin 2012, kostot e prodhimit ishin 421 milionë lekë, ndërkohë që të ardhurat ishin 379 milionë lekë. Humbjet vjetore të kompanisë i kanë kaluar të 2 milionë dollarët. Më vonë në vitin 2013, humbjet e kompanisë u thelluan edhe më shumë për shkak të prishjes së imazhit nga pretendimet e autoriteteve kosovare se, qumështi Fast që prodhohej nga Meggle në Shqipëri, kishte Aflatoksinë. Këto ngjarje e bënë të pamundur aktivitetin e kompanisë në Shqipëri. Meggle ofronte produktet e qumështit UHT, djathë dhe produkte të ndryshme të fermentuara sikrem, kos, gjalpë, të cilat janë prodhuar nga qumështishqiptar.
Meggle, kompania më e madhe përpunuese e qumështit
Kompania gjermane Meggle rezulton të jetë më e madhja në tregun shqiptar të qumështit të përpunuar. Kompania kishte mbi 320 milionë lekë në fund të vitit 2013. Më pas për nga rëndësia në treg vijnë kompanitë shqiptare, Gjirofarma me një qarkullim vjetor prej 195 milionë lekësh, Erzeni me 155 milionë lekë dhe Lufra me 147 milionë lekë. Të 11 operatorët më të mëdhenj realizuan një xhiro vjetore prej 1.2 miliardë lekësh, sipas të dhënave nga tatimet.
Por, siç bënë të ditur ekspertët nga Shoqata e Përpunuesve, rënia e konsumit ka ndryshuar sjelljen e konsumatorëve për produktet. Konsumohet më shumë kos në vend të qumështit dhe preferencat janë zhvendosur drejt produkteve me çmime të lira, duke nxitur kompanitë të spekulojnë me cilësinë. Kjo shihet të jetë edhe një ndër arsyet pse gjermanët e Meggle nuk po sigurojnë dot mbijetesën. Meggle qё prej vitit 2010 bleu kompaninë më të madhe shqiptare tё prodhimit tё qumështit Ferlat sh.p.k. duke zgjeruar mё tej tregun e saj në Europёn Lindore. Me 50 punonjës dhe njё kapacitet përpunimi vjetor prej afërsisht 40 milionë litra qumësht në Rrogozhinë prodhohet qumështi nën markën Fastmilk, i cili tregtohet nё të gjithë Shqipërinë. Meggle tashmë numëron rreth 2.600 punonjës nё mbarë botën.
Nga ana tjetër, fragmentimi dhe zhvillimi i ulët i bujqësisë kanë kufizuar sasinë e qumështit të prodhuar në fermat e vogla shqiptare. Numri i fermave me më shumë se 5 lopë është i kufizuar, përbën më pak se 5% të prodhimit total të qumështit. Kjo është arsyeja pse, sipërmarrësit e qumështit po përballen me vështirësi për të gjetur të furnizimet e papërpunuara dhe janë eksplorim të mundësive për të investuar vetë në fermat efikase.
Ministria e Bujqësisë indiferente
Ministria e Bujqësisë e konsideron luftën tregtare që ka shpërthyer mes kompanive vendase të përpunimit si një dukuri normale të ekonomisë së tregut. Zv/ministri i Bujqësisë, Alban Zusi tha se, autoritetet shqiptare janë duke unifikuar standardet në mënyrë që të mos lejohet tregtia e pandershme, dhe kjo po aplikohet me Kosovën. Por për tregun e brendshëm ai tha se, nuk mund të ndërhyhet në konkurrencën që vetë tregu krijon.
Zusi tha që nuk është i informuar për daljen nga tregu prodhues të Meggle dhe fokusimin e saj tek importi.
Ndërkohë, në nëntor të 2013, përfaqësues të kompanisë u takuan me ministrin e bujqësisë Edmond Panariti, sipas një njoftimi zyrtar të asaj kohe, ku ministri shprehu shprehu gatishmërinë personale dhe të qeverisë për të mbështetur kërkesat e tyre në lidhje me kontrollin dhe monitorimin e situatës së tregut shqiptar dhe gjetjen e një skeme të përbashkët subvencionimi efiçente dhe të orientuar drejt rezultatit. Në atë takim, investitorët gjermanë u shprehën të gatshëm të shumëfishojnë investimet e tyre në Shqipëri.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.