Ose më saktë, “luftë” rrugësh e korridoresh nëpër rrugë e korridore, nëpër zyra, podiume, mediume, zyra të errta e të ndritshme e skuta, grupe, klane, lobe, partizash e partish…Në fakt, askush nuk po e përmend si prioritet rrugën Durrës Kukës Prishtinë, rrugë tashmë e nisur, mirë apo keq, e nisur, rrugë të cilës i janë vjedhur nga qeverisësit e këtij vendi në këtë gati dekadë socialiste, siç thonë, rreth 80 milion euro dhe askush nuk po di ti japë dum e ti gjejë ato para të taksave të shqiptarëve të varfër se ku kanë shkuar. A duhet të besojmë se nuk do të jetë prioritet i shtetit të nesërm, që besoj se do të jetë vërtet demokratik, kjo udhë që lidh shqiptarët ndërmjet tyre, që lidh sllavët me shqiptarët, që lidh Lindjen me Perëndimin, që lidh jo fshatra e katunde por kryeqytete e shtete, lidh gjysma kontinenti …, i lidh drejtpërdrejt dhe pa i rënë nga Kina për të ardhur në Durrës, Shëngjin apo Vlorë.Udha Durrës – Kukës – Prishtinë, jo udhë fshati, as udhë për transport bunkierësh e trupa lisash, as udhë për të shkuar majave për të rrëshqitur me ski, apo për të ngrënë një darkë a drekë në ndonjë majë mali, pranë ndonjë burimi, me këmbët në ndonjë ujë që rrjedh, është e drejtë, udhë luginash, udhë që shkon gati në trasenë e udhës së moçme Nish Lezhë, udhë që kalon në Kukës, në vendin ku takohen dy Drinat, Drini i Bardhë e Drini i Zi, udhë që kalon Luginës së Fanit. Nuk është udhë që lidh fshatrat as të Mirditës, as të Shkodrës, as të Tropojës, as të Kukësit. Nuk është udhë që lidh maja malesh e alpesh (udhët për maja malesh e alpesh janë udhë qejflinjsh e jo dertlinjsh…), por, kjo është udhë që lidh kombin, është udhë që lidh kryeqytete, është udhë që lidh shtete, që lidh copra kontinentesh…, kjo udhë është e do të jetë, (në mos sot apo nesër, një ditë po se po), degë e Korridorit të Dhjetë që do të nisë në Nish ( si e moçmja…) e do të mbërrijë deri në Durrës. Në mos në Durrës, për hatër, do të mbërrijë sakllam në Milot, ku porti i Shëngjinit është rreth 15 km larg, ku Shkodra është në vijë të drejtë, është në udhë të madhe të Zotit.”Udhëtim” në rrugën e reKalimi i udhës nëpër Luginën e Fanit për në Kukës, që në lartësi, mbidetare (nuk është 900 metër) është shumë e shumë më e ulët se Alpet (rreth 500 m mbi nivelin e detit), do të bëjë që të mos u ngrijë motori në ecje makinave siç mund të ndodhë në udhëtimin majave të bjeshkëve të atdheut…Pra, thamë se udha Durrës Kukës Prishtinë nuk do të jetë më me këtë emër, nuk do të quhet më kështu, por do të jetë degë e Korridorit të Dhjetë, Nish Durrës, pra do të jetë motër e degës tjetër të këtij Korridori Nish Sofje. Kjo sepse kjo udhë nuk do të ndalet e nuk mund të ndalet në Prishtinë, por do të zgjatet edhe 60 km nga Kosova deri në Nish. “Për këtë po bëhet përpjekje e madhe nga shoqëia gjigante ndërkombëtare “Strabag”, në institucionet më të larta europiane”, -më tha në një bisedë në Kukës para disa kohësh i njohuri dr. Faruk Kaba, që duket se është mjaft i angazhuar dhe i informuar përsa i përket çështjes së rrugëve.Ku jemi me rrugën?Për rrugën Durrës Kukës Prishtinë kanë përfunduar tashmë të gjitha studimet e nevojshme, është kryer me kohë studimi i fisibilitetit, janë bërë projektet e zbatimit, kanë gërvishur disa kilometra trase ushtarët shqiptarë të xhenios, janë financuar segmente të ndryshme të saj. Janë prerë disa herë shirita për nisje punimesh nga Nano kryeministër me shumë të tjerë të tijtë. Për vitin financiar 2005 është planifikuar për segmentin nga ku mbaron tuneli në Kalimash e deri në Kukës 1.6 milion euro, pa shpjeguar kurrë për 80 milion eurot që shqiptarët i derdhën për këtë rrugë si taksa Majko, Është bërë shumë vite fushatë me këtë udhë nga qeveria aktuale. Është premtuar e ripremtuar kjo udhë dhjetra e dhjetra herë. Tashmë së fundi, më 12 shkurt 2005, kryeministri ynë, në një takim elektoral në Kukës, kur erdhi për situatën e rëndë të dimrit, u shpreh se ka ndezur xhelozi ndërmjet italianëve dhe gjermanëve për rrugën Durrës Kukës Morinë. Dhe kryeministri ynë nuk ngurroi të kritikonte Kosovën se nuk ka ecur sa duhet me projektin e rrugës Prishtinë Prizren Morinë! Harron kryeministri ynë se Kosova është krejt e qartë për këtë udhë, është gati projekti dhe Kosova nuk bën “pazare” me tendera për segmente copa copa. Kosova, siç janë shprehur drejtuesit e Kosovës, e jep urgjentisht ndërtimin e kësaj rruge me koncesion. Përsa i përket rrugëve, ndërtimit, administrimit e mirëmbajtjes, Kosova është pa frikë nja njëqind vjet para Shqipërisë. E Nano të shohë çatinë e tij dhe jo punët e Kosovës… E të mos thotë, siç tha në Kukës, se rruga Durrës Kukës Prishtinë do të marrë udhë pasi të zgjidhet statusi i Kosovës. Nano as nuk e “zgjidh” e as nuk e “lidh” dot statusin e Kosovës. Por rrugën Durrës Kukës Morinë, po të dojë e lidh dhe e zgjidh. Sepse e ka lidhur deri tashmë sa herë ka dashur dhe e ka zgjidhur në fushata elektorale.”Lufta” për rrugë, udhëve, korridoreve, sallave, kafeneve, apo lufta e rrugëve brenda llojit e brenda vendit, i jep dorë të lirë qeverisë së sotme të thotë se ne nuk po ecim në ndërtimin e rrugës Durrës Kukës Morinë, sepse po na venë shkopinj nën rrota ata që sjanë për këtë udhë, por janë për udhë e korridore të tjera. Pra, qeveria e sotme mund të thotë se ska konsensus të të gjithë politikanëve, krahinave e lagjeve të politikes në vend. Mund të thotë, kollaj fare, bini dakord se cilën rrugë të bëjmë, atë Durrës Kukës Morinë, atë të Arbërit, apo korridorin e Alpeve që lidh më së shumti disa fshatra të largëta e lagje të Prizrenit… Shqetësimet e kuksianëve e kosovarëveTashmë, përsa i përket thashethemeve të kafeneve të tymta e të lyrta të fshatrave, po duhet të përcjell opinione dhe të ngre disa shqetësime kuksianësh të lëna gjithmonë pas dore e të trusnuar nga politikat aktuale, shumë shqetësime kosovarësh që e konsiderojnë ëndërr të madhe këtë rrugë që i lidh me detin…Nuk dua të besoj se qeverisja e nesërme do ta fshijë nga prioritetet e saj ndërtimin e rrugës së nisur Durrës Kukës Prishtinë, nuk besoj se gërvishja apo zhgarravina që ka bërë kjo qeveri aktuale në këto 8 vite në këtë udhë, do të mbeten ende gërvishje apo zhgarravina nëpër copra traseje të saj. Nuk dua ta besoj as vetë dhe askush tjetër se do të ketë mbivendosje rrugësh e prioritete rrugësh e korridoresh. Nuk besoj që këtë nismë të mirë të kësaj qeverisje (që e ka bërë nën presionin mbarëshqiptar dhe ka prerë shirita inagurimi në këtë udhë në çdo fushatë elektorale të këtryre 8 viteve) ta fshijë qeverisja e nesërme. Sepse thashë, rruga Durrës Kukës Prishtinë Nish, nuk është rrugë votuesish, rrugë që lidh qendrat e votimit, që lidh fshatrat, rrugë që transporton bunkierë apo që shërben për të vjedhur trupa lisash nga majat e maleve… Sot veç nuk duhet që palë politike të heshtin për këtë rrugë. Sepse duke heshtur sot me fjalë, shkaktohet masakër e madhe shpresash jo në 20 mijë banorët e Fanit, as në vetëm 80 mijë banorët e Kukësit, as në 5 mijë banorët e Bajram Currit, as në 80 mijë banorët e Gjakovës, por në 300 mijë banorët e Prizrenit që është kryeqendër historike, në mbi 3 milion banorë të Kosovës e qindra milion qytetarëve të tjerë të botës matanë Kosovës, që dëshiron të lidhet shkurt me detin e nëpërmjet detit të lidhet me Perëndimin…E sa për opinione votuesish e qytetarësh, dua të them se Kukësi ska pasur, ska mundur, a ska dashur se ska pasur nevojë, (fatmadhi ska nevojë të kapet me fatvoglin…) për të krijuar lobingje, për të kërkuar spila për të qëndruar në këmbë as në Kosovë e as në presidencën e Kosovës te Presidenti Ibrahim Rugova, as në Kuvendin e saj a të kryeparlamentarit Nexhat Daci, as në qeverinë e saj a të kryeministrit Ramush Haredinaj sot as dje te Bajram Rexhepi. Kukësi në Kosovë që në vitin 1999 është shpallur Meka e shqiptarëve… Kuvendi i Kosovës mund të marrë lloj-lloj vendimesh, rezolutash, propozimesh, por nuk ka marrë e nuk mund të marrë asnjë vendim për të ndërtuar ndonjë rrugë tjetër që sfumon apo nuk lejon ndërtimin e rrugës së Zotit Durrës Kukës Prishtinë, rrugë që i bie mes për mes Shqipërisë…Lasgush Poradeci, ai i madhi, pati shkruar “Dyke nisë udhëtimin, mes për mes nër Shqipëri, Drini plak e i përrallshëm, çpo buron prej Shën Naumi…”. Pra, Kukësi është aty ku bashkohen dy Drinat, Drini i Bardhë e Drini i Zi që i bien mespërmes Shqipërisë. A është keq që rruga të kalojë mespërmes Shqipërisë…
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.