Amerika nuk mund të injorojë ambiciet e Kinës për gjysmëpërçuesit dhe ajo as që mund t’i kufizojë ato
Mosmarrëveshjet tregtare gjatë mandatit të Donald Trumpit janë në të vërtetë shumë të vjetra. Tarifat janë armët kryesore. Tregjet e ekonomisë së vjetër, nga makinat tek industria e çelikut, janë fushat kryesore të zhvillimit të betejave. Fermerët dhe fabrikat e shqetësojnë shumë Presidentin, shkruan The Economist. Dhe është pikërisht marrëdhënia që ka ai së bashku me homologët e fuqishëm të shteteve të tjera, ajo që mund t’i japë fund ose jo marrëveshjeve të ndryshme.
Një prej mosmarrëveshjeve tregtare më të rëndësishme ndërmjet Amerikës dhe Kinës është lufta e shekullit të 21-të në drejtim të teknologjisë.
Ajo përfshin çdo gjë, duke filluar nga Inteligjenca Artificiale (AI) e deri te pajisjet e rrjetit. Por fushëbeteja kryesore është për gjysmëpërçuesit. Industria e çipeve është pikërisht ajo për të cilën po përplasen drejtpërdrejti lidershipi industrial i Amerikës dhe ambiciet e superfuqisë së Kinës. Edhe pse takimi i G20 që u mbajt në Buenos Aires të Argjentinës, përfundoi, konflikti ndërmjet këtyre dy superfuqive pritet të vazhdojë edhe për shumë kohë.
Kjo është për shkak se çipet kompjuterike janë themelet e ekonomisë dixhitale dhe sigurisë kombëtare. Makinat janë shndërruar në kompjuterë me rrota. Bankat janë një lloj tjetër kompjuterësh që lëvizin paratë.
Ushtritë luftojnë me silicin, si dhe me çelikun. Kompanitë nga Amerika dhe aleatët e saj, si Koreja e Jugut dhe Tajvani, dominojnë fushat më të përparuara të industrisë.
Kina, përkundrazi, mbetet e varur nga bota e jashtme për furnizimin me çipe të cilësisë së lartë. Ajo shpenzon më shumë në importin e gjysmëpërçuesve sesa në importin e naftës. Lista e 15 firmave gjysmëpërçuese më të mira në botë nga shitjet, nuk përmban qoftë edhe një emër të vetëm të ndonjë kompanie kineze.
Shumë kohë përpara se z. Trump të merrte pushtetin, Kina i shprehu qartazi qëllimet për të ecur me të njëjtin ritëm me Amerikën.
Në vitin 2014, qeveria në Pekin njoftoi një fond investimi prej 1 trilion yuan (150 miliardë dollarë amerikanë) që do të shkonte në drejtim të përmirësimit të industrisë vendase. Gjysmëpërçuesit “Made in China 2025” janë një plan zhvillimi kombëtar i nxjerrë që në vitin 2015.
Ambiciet e Kinës për të krijuar një industri të përparuar e shqetësuan edhe paraardhësin e z. Trump. Z Obama e ndaloi Intel-in që t’i shiste Kinës disa prej çipeve të tij më të mirë në vitin 2015, si dhe e pengoi blerjen e një kompanie gjermane që merrej me prodhimin e çipeve, nga një kompani kineze në vitin 2016.
Referuar një raporti të cilin ai e shkroi përpara se të largohej nga Shtëpia e Bardhë, shkruhej se duheshin ndërmarrë veprime kundër subvencioneve kineze dhe transferimit të detyruar të teknologjisë. Edhe shtete të tjera janë të alarmuara nga kjo situatë. Tajvani dhe Koreja e Jugut kanë politika të cilat ndalojnë blerjen e firmave vendase që merren me prodhimin e çipeve nga firmat kineze. Edhe pse beteja në drejtim të çipeve mund ta ketë origjinën përpara se z. Trump të vinte në pushtet, ishte pikërisht ky i fundit që e intensifikoi atë më shumë.
Në fillim të këtij viti u ndal eksporti i çipeve dhe softuerëve amerikanë te ZTE, një kompanie kineze telekomunikacioni si pasojë e shkeljeve të sanksioneve, gjë që e çoi këtë të fundit në prag falimentimi vetëm brenda disa ditësh. I tronditur nga dëmtimi që shkaktoi, por edhe si pasojë e ankesave të shumta të z. Xi, z. Trump u tërhoq me shpejtësi.
Dy gjëra kanë ndryshuar. Së pari, Amerika e ka kuptuar se epërsia e saj në teknologji i jep asaj fuqi mbi Kinën. Ajo ka vendosur kontrolle eksporti që kanë pasur ndikim edhe mbi Fujian Jinhua, një firmë tjetër kineze e akuzuar për vjedhjen e sekreteve dhe ndërkohë Shtëpia e Bardhë po planifikon edhe kufizime të tjera më të mëdha për teknologjitë në zhvillim.
Së dyti, përpjekjet e Kinës për t’u mbështetur te kompanitë e saj brenda vendit, në drejtim të gjysmëpërçuesve janë rritur. Pas diskutimeve në lidhje me kompaninë ZTE, z. Xi foli kryesisht mbi teknologjitë bazë. Gjigantët e saj të teknologjisë po ecin shumë mirë: Alibaba, Baidu dhe Huawei po grumbullojnë mjaftueshëm para, një pjesë e të cilave do të shpenzohen në prodhimin e çipeve. Por edhe Kina, nga ana e saj, ka treguar se është e aftë për t’i penguar firmat amerikane. Në fillim të këtij viti, Qualcomm, kompania amerikane braktisi një ofertë për NXP, një firmë holandeze, pas pengesave të shumta të rregullatorëve kinezë.
As interesat e vendit nuk do të ndryshojnë. Amerika, me të drejtë, ka shqetësime në lidhje me sigurinë kombëtare, në rast se do të varej nga Kina për çipe, duke u bërë kështu më e prekshme ndaj hakmarrjes kineze.
Pretendimet e Kinës për të qenë një superfuqi do të mbeten thjesht fjalë boshe, për aq kohë sa Amerika mund të fundosë sipas dëshirës së saj firmat kineze.
Kina është e destinuar të përpiqet të arrijë hapin e Amerikës, ndërsa kjo e fundit është e vendosur që të vazhdojë të qëndrojë shumë përpara Kinës.
Pyetja që lind në këtë moment është se në cilat nivele pretendon Amerika që të arrijë. Proteksionistët në Shtëpinë e Bardhë padyshim që do të donin të zhvendosnin zinxhirin e furnizuesve të gjysmëpërçuesve në shtetin e tyre. Por padyshim që edhe në këtë drejtim, ata duhet të shoqërohen nga një fat shumë i madh.
Industria është një himn për globalizimin. Një kompani amerikane ka 16,000 furnizues, ku më shumë se gjysma e tyre ndodhen jashtë vendit. Ndërkohë Kina është një treg i madh për shumë firma. Dy të tretat e Qualcomm-it amerikan janë në Kinë.
Përpjekjet për ta ndarë këtë industri në dy pjesë do të dëmtonin prodhuesit dhe konsumatorët në Amerikë. Ky do të ishte gjithashtu një veprim i hapur antagonist, i cili nuk do të bënte dallim më pas, midis konkurrencës së padrejtë dhe asaj të vërtetë. Edhe në një periudhë të gjatë kohore ajo mund të jetë gjithashtu pa rezultat.
Sot, Amerika ka përparësi ndaj Kinës në dizenjimin dhe prodhimin e çipeve të cilësisë së lartë. Dhe kjo, padyshim, mund t’i ngadalësojë rivalët e saj. Por progresi i Kinës do të jetë i vështirë për t’u ndalur. Ashtu si rritja e Silicon Valley pati një mbështetje të madhe nga qeveria amerikane, në të njëjtën mënyrë edhe Kina po bën së bashku mbështetjen e qeverisë dhe të të gjitha korporatave në përmbushje të qëllimeve të saj.
Ajo ka hartuar programe për të tërhequr talentet inxhinierike më të mira të vendeve të tjera, veçanërisht ato nga Tajvani. Kompani si Huawei e kanë vërtetuar aftësinë e tyre për të avancuar në drejtim të inovacionit. Bllokimi i shpërndarjes se çipeve Intel në vitin 2015, e nxiti Kinën për të zhvilluar më shumë industrinë e saj të superkompjuterëve brenda vendit.
Për më tepër, dëshira e Kinës për t’u bërë një central global i gjysmëpërçuesve është në një kohë më se të favorshme. Për dekada të tëra industria e çipeve është inkurajuar nga ligji i Moore, sipas të cilit aftësitë e një çipi të një madhësie të caktuar dyfishohen çdo dy vjet.
Por ligji i Moore po arrin limitet fizike. Ndërsa të gjithë po shkojnë drejt teknologjive të reja, nga informatika kuantike te çipet e specializuara të Inteligjencës Artificiale, mundësitë e Kinës që të ecë me të njëjtat hapa janë të pakta.
Qasja e duhur që Amerika duhet të ketë, duhet të shihet në tre drejtime.
I pari është që ajo të bashkëpunojë me aleatët në Europë dhe Azi, për të vazhduar përpjekjet kundër praktikave të padrejta kineze (si transferimi i detyruar i teknologjisë dhe vjedhja e pronësisë intelektuale) në Organizatën Botërore të Tregtisë dhe për të treguar investimet e brendshme kineze kur siguria e justifikon këtë gjë.
I dyti është nxitja e inovacionit brenda shtetit. Më shumë fonde të qeverisë tashmë po shkojnë në drejtim të krijimit dhe zhvillimit të çipeve, si edhe është shumë i nevojshëm fakti i tërheqës së talenteve të reja nga shtete të ndryshme.
I treti është që ajo të përgatitet për një botë në të cilën çipet kineze do të jenë më të fuqishme dhe do të kenë një përhapje më të madhe.
Kjo do të thotë, ndër të tjera, zhvillimin e procedurave të duhura për të qenë të sigurt mbi ato çka ofron Kina dhe shtrëngimi i procedurave për përdorimin e të dhënave, në mënyrë që informacioni të mos zbulohet dhe të mos merret lehtësisht. Edhe pse masa të tilla ndoshta nuk do të përbëjnë temën kryesore të diskutimeve në mbledhjet e G20, ato do të kenë shumë rëndësi në formësimin e botës në vitet në vijim.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.