Luhatjet e tarifave “penalizojnë” kompanitë e sigurimit të “Jo-Jetës”, vetëm tri me rritje

31/05/2013 14:32 0 komente
non-life-insurance-250x250

non-life-insurance-250x250

 

Tregu i sigurimeve të “Jo-Jetës” i është rikthyer rritjes së dobët dhe shkak për këtë janë bërë luhatjet e forta të çmimeve të sigurimit të detyrueshëm të makinave, si zëri kryesor i këtij segmenti. Të dhënat e raportit ta 4-mujorit të parë të këtij viti, të AMF-së tregojnë se vlera totale e këtij tregu arriti në 2.4 miliardë lekë ose 2.4% më shumë se e njëjta periudhë e një viti më parë.  Segmenti i Jo-Jetës vazhdon të dominohet nga sigurimet motorike, por rritje patën edhe disa prej kategorive kryesore të sigurimit vullnetar. Në sigurimet e detyrueshme motorike, sigurimi i brendshëm u rrit me rreth 3%, ndërsa Kartoni Jeshil me afërsisht 13%. Ndër sigurimet vullnetare, sigurimi i shëndetit është ndër produktet me ecurinë më pozitive edhe për vitin 2013. Për katërmujorin, të ardhurat nga ky produkt u rritën me 36%. Në rritje me afro 8% edhe sigurimet nga zjarri dhe forcat e natyrës. Këtë vit shoqëritë e sigurimeve po paguajnë më pak dëme krahasuar me vitin e kaluar. Të dhënat e AMF tregojnë se pagesat e dëmeve ranë me 21% kundrejt të njëjtës periudhë të një viti më parë. Raporti mes dëmeve dhe primeve u llogarit në rreth 30%, nga 40% që ishte për të njëjtën periudhë të vitit 2012.

Sa i përket performancës së kompanive,  nga të dhënat vihet re se vetëm tri shoqëri kanë arritur të shënojnë rritje të primeve të shkruara bruto. “Eurosig” është kompania që shënoi rritjen me të madhe të primeve me rreth 66%, duke u ndjekur nga Intersig Vienna Insurance Group me rreth 43% dhe Albsig me 0.8%.  Pjesa tjetër e kompanive që operojnë në këtë treg kanë njohur rënie të primeve të shkruara bruto, ku më të fortën  e ka shënuar Sigma Vienna Insurance Group me rreth 35%, e cila ndiqet nga “Interalbanian” me rënie rreth 27%.

Duke u ndalur te prezenca në treg për periudhën janar-prill 2013 “Interalbanian” dhe “Sigma” janë shoqëritë që kanë humbur më shumë terren, duke zënë përkatësisht 11.5% dhe 8% të tregut nga rreth 16% dhe 13% që zinin në të njëjtën periudhë të një viti më parë.

Ndarja e tregut sigurimi i Jo-Jetës

Janar-Prill 2012

Janar-Prill 2013

Shkruaj një koment

Ju duhet të logoheni për të komentuar.