Luka Modric, nën akuzë për evazion fiskal

01/12/2017 5:29 PM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Nuk ndalen hetimet e autoriteteve tatimore spanjolle rreth evazionit fiskal të lojtarëve që luajnë në Gadishullin Iberik. Këtë herë, në hetim është Luka Modric, mesfushor i Real Madrid.

Sipas akuzës së Madridit, ai ka bërë evazion prej 870.728 eurosh në sezonin 2013/14 nëpërmjet një shoqërie me seli në Luksemburg, “Ivano Sarl”. Modric kishte nënshkruar me këtë shoqëri për shitjen e të drejtave të imazhit: “Ivano Sarl” ka marrë në këtë mënyrë 552.485 euro në vitin 2013 dhe 729.000 euro në vitin 2014.

Megjithatë, sipas akuzës, bëhet fjalë për një shoqëri të rreme “e krijuar me qëllimin e vetëm për kanalizimin e të drejtave të imazhit të lojtarit dhe për të shmangur taksat”. Ndër të tjera, sipas Prokurorisë, evazioni fiskal mund të jetë edhe më i madh.

Një ndër rastet më të bujshme për evazion fiskal mbetet ai i Cristiano Ronaldo, i cili është gati t’u paguajë autoriteteve spanjolle 14,7 milionë euro. Ndërkohë Josè Mourinho është akuzuar nga Hacienda spanjolle për një shifër prej 3,3 milionë eurosh.

Ndër çështjet kryesore është edhe ajo e Leo Messi, dënimi i të cilit me 21 muaj burg, i akuzuar për evazion fiskal në vitet 2007, 2008, 2009 për një total prej 4,1 milionë eurosh, duke mos deklaruar të ardhurat prej 10,1 milionë eurosh nga të drejtat e imazhit, është konvertuar në pagesën e gjobës prej 455 mijë euro.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz