Lulëzimi i portaleve

06/02/2018 10:03 AM 0 komente

Çdo sekondë portalet të bombardojnë me lajme, që i dalin shumëkujt në facebook apo në aplikacionin e shkarkuar në smartphone, duke i “harruar” tërësisht gazetat si një mjet alternativ informimi.

Në të njëjtën linjë, reklamuesit që po i ikin shtypit të shkuar po drejtohen në internet, një tendencë mbarëbotërore kjo. Në botë, të ardhurat nga reklamat online i kanë kaluar ato në print që në vitin 2012.

Në Shqipëri, ky tranzicion ndodhi në periudhën 2016-2017 dhe sot media online është absolutisht më e preferuar se ajo në shtypin e shkruar, duke i kaluar 2 milionë euro të ardhura. Reklamimi online shihet nga bizneset si më i leverdishëm dhe shënjestron më mirë brezin e ri që, dhe më parë, nuk ishte lexues i rregullt i shtypit të shkruar.

Të dhënat e Idra Media tregojnë se sipërfaqja e reklamuar në mediat online u rrit me 68% në 2016-n dhe 16% në 2017 (me bazë vjetore).
Nga monitorimet e sipërfaqes rezulton se portali Anabel.al kishte më shumë reklama për 2017-n, i ndjekur nga gazetatema.net, living.al, shqiptarja.com., lapsi.al, revistaclass.al, noa.al.

Megjithatë, sipas të ardhurave, kryesimin vijon ta mbajë Balkanweb, për shkak të tarifave të shtrenjta që ka (në 2017-n ky portal ka pasur rënie të lehtë të sipërfaqeve të reklamave, që ka ardhur jo për mungesë interesi, por për shkak të disa problemeve me serverin). Të ardhura të larta ka edhe Top Channel, ndonëse me sipërfaqe më të ulët reklamimi sesa shumë portale të tjera.
Pothuajse të gjitha portalet kanë parë rritje të ndjeshme të sipërfaqes së reklamuar në 2016-n dhe 2017-n.

Vilma Mesareja e Focus Media News, e cila menaxhon dhe portalin e Balkan Web, pohon se është rritur dukshëm interesi i reklamuesve për online, ndërsa ka një rënie të jashtëzakonshme të interesit për print. Ajo tregon rastin e Gazetës Shqiptare, që pasi hapi faqen e vet online, për shkak edhe të emrit, arriti menjëherë 80 mijë klikime në ditë, duke tërhequr edhe reklamuesit.

Telefonia e lëvizshme, bankat, produktet e kujdesit shëndetësor, telefonia fikse dhe e internetit, ushqimet, pijet, agjencitë e udhëtimit, edukimi, rezultojnë të kenë rritur dukshëm vëmendjen ndaj reklamave online.

Vodafone është reklamuesi më i madh në internet, për sa i përket sipërfaqes, i ndjekur nga Telecom Albania, Albtelecom, Banka Credins, Raiffeisen, Alpha Bank duke konfirmuar tendencën e të mëdhenjve drejt zhvendosjes së reklamave nga print tek online.
Sipas sektorëve, në reklamat në median online kryesojnë telefonia e lëvizshme, bankat, kujdesi shëndetësor, telefonia fikse dhe ofruesit e shërbimit të internetit, pajisjet elektronike dhe shtëpiake.

Sipas vlerësimit të Unionit të Gazetarëve Shqiptarë, numri i portaleve aktualisht mund të ketë arritur në rreth 800. Aleksandër Çipa, kryetar i Unionit, thotë se kosto e hapjes dhe menaxhimit të tyre është e ulët. Shuma minimale që duhet investuar në muaj është 200 mijë lekë.
Çipa rendit disa nga tendencat kryesore të hapjes masive të tyre.

-Së pari, përfaqësues të biznesit, krijojnë ortakëri me persona të marrëdhënieve me publikun, apo gazetarët për hapjen e një portali.

-Së dyti, janë grupe të rinjsh, kryesisht studentë të shkencave të komunikimit, por edhe të shkencave politike dhe pak nga ekonomiku që përqendrohen në botën e online. Unioni vlerëson se janë gati 120 portale që i zotërojnë studentët.

-Së treti, ka disa grupe online që po zëvendësojnë energjikisht median tradicionale lokale. Në të gjitha qytetet ka një portal që ka krijuar profilin e një media lokale, duke luajtur rolin e gazetave. Çipa thotë se këta janë dhe efektivë, pasi po tërheqin reklama nga bizneset.

-Së katërti, Çipa pohon se ka portale të financuara në mënyrë anonime nga grupe të interesit, ku p.sh. ish-punonjës policie indirekt lobojnë me reporterë lokalë dhe kanë krijuar disa portale që rivalizojnë për lajmin e kronikës, apo në drejtësi dhe në politikat në burimet njerëzore të këtyre sektorëve. Çipa shpreh shqetësimin se ky segment ushtron dhe politika të raportit shantazhues, apo lajme të rreme (fake news). Në fakt, i gjithë zhvillimi i shpejtë dhe i pakontrolluar i medias online ka ulur nivelin e raportimit të lajmit dhe besueshmërinë e tij në vend.

-Së pesti, ka grupe të lidhura me politikat rajonale, etnopolitike, fetare.
Një tendencë e fundit, e konstatuar në 6-mujorin e dytë 2017, është krijimi i rrjeteve online mes mediave të shqiptarëve në rajon dhe botë. Çipa e vlerëson këtë si një zhvillim pozitiv, që zgjeron këndvështrimin e lajmit, duke i dhënë atij një dimension rajonal dhe global, si dhe sfidon traditën e keqe për provicionalizimin e mediave tona.

————–

Buxhetet po kanalizohen drejt mediave dixhitale

Flet Gerti Boshnjaku, CEO i New Media Communications shpk

Shtypi i shkruar ka filluar rënien prej kohësh, gjë që duket si në tirazhet e vogla ashtu edhe në lexueshmërinë e munguar. Shtypi i shkruar është pothuajse i zëvendësuar nga media online në gjithë boten çka ka sjellë dhe reduktimin e titujve të rëndësishëm dhe transformimit të tyre për t’iu përshtatur epokës dixhitale.

Duhet të them që në Shqipëri media e shtypur ka rezistuar mjaftueshëm dhe duhet të përshtatet me ndryshimet. Reklamat do të vijnë gjithmonë në rënie në shtyp, pasi vëmendja e lexuesve dhe zakonet e konsumit të mediave kanë ndryshuar tashmë. Me evoluimin e teknologjisë dhe me ndryshimin e  brezave kanë ndryshuar dhe mënyrat e konsumimit të përmbajtjes çka rrjedhimisht sjell kanalizimin e buxheteve të reklamave tek mediat e reja. Buxhetet do të kanalizohen gjithmonë e më shumë tek mediat dixhitale, madje peshën kryesore do ta zënë reklamat për pajisjet mobile sepse këto janë pajisjet nga të cilat bëhen konsumi më i madh i përmbajtjes.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of