Lulëzimi i internetit, reklamat po arrijnë shtypin e shkruar

18/12/2016 3:41 PM 0 komente

Nëse ka një segment, që po lulëzon për momentin, është ai i reklamave në internet. Reklamuesit po ndjekin trendin e lexuesve që preferojnë të informohen kudo që ndodhen përmes smartphone, apo nga kompjuteri i zyrës e shtëpisë, një tendencë kjo që konstatohet në mbarë botën.
Në Shqipëri, rritja e penetrimit të internetit vitet e fundit, sidomos te të rinjtë, ka bërë që reklamuesit të synojnë të kapin atë treg të synuar të grupmoshës relativisht të re, që dhe më parë nuk ishte lexuese e rregullt e shtypit të shkruar.
Tregu i reklamave po zhvendoset gjithnjë e më shumë drejt internetit, dhe ai vlerësohet të ketë arritur në 1.5-1.7 milionë euro deri në fund të 2015-s, sipas monitorimeve të Idra Media. Rritja ka qenë e fortë sidomos për 11-mujorin 2016, ku reklamat në internet, sipas Idra Media, vlerësohen të kenë arritur në 2.5-2.8 milionë euro, pothuajse sa reklamat në shtypin e shkruar.
Nga monitorimet e sipërfaqes rezulton se portali Anabel.al kishte më shumë reklama për 11-mujorin 2016, e ndjekur nga shqiptarja.com., lapsi.al (me një rritje të ndjeshme), noa.al. Megjithatë, sipas të ardhurave, kryesimin vijon ta mbajë Balkanweb, për shkak të tarifave të shtrenjta që ka. Sipas të dhënave nga grupi, të ardhurat e Balkan Web nga reklamat janë mbi 30 mijë euro në muaj dhe tendenca është në rritje.
Pothuajse të gjitha portalet kanë parë një rritje dyshifrore të sipërfaqes së reklamuar në 2016-n.

monitor 760.indd

Telefonia e lëvizshme, bankat, produktet e kujdesit shëndetësor, telefonia fikse dhe e internetit, ushqimet, pijet, agjencitë e udhëtimit, edukimi, rezultojnë të kenë rritur dukshëm vëmendjen ndaj reklamave online.
Vodafone është reklamuesi më i madh në internet, për sa i përket sipërfaqes, i ndjekur nga Telecom Albania, Banka Credins, Raiffeisen, duke konfirmuar tendencën e të mëdhenjve drejt rritjes së shfaqjes online.

monitor 760.indd

Sipas të dhënave të publikuara nga Internet World Stat në Shqipëri, përdorimi i internetit arriti në rreth 63% në vitin 2015. Rezulton se 1.8 milionë shqiptarë kanë përdorur internetin vitin e kaluar, më shumë se gjysma e popullsisë në vend. I lartë është dhe përdorimi i Facebook, ku rezulton se kishte 1,400,000 përdorues të Facebook deri më 30 qershor 2016, me një penetrim prej 46.1%.
Dalina Buzi, administratore e Anabel.al, që disa vite më parë vendosi të mbyllë publikimin mujor në print dhe të përqendrohej tek version online, sot është shumë e kënaqur me këtë zgjedhje. Kursimet mujore vetëm nga shtypshkronja janë 400 mijë lekë, ndërsa reklamat tani janë shumë më të targetuara dhe efekti është i matshëm. Me revistat e shtypura, thotë ajo, tregu ishte i padrejtë, pasi cilido deklaronte tirazhin që i interesonte. Ndryshe ndodh me klikimet, ku matja është më e saktë. “Jemi të parët që kemi filluar me mesazhe promocionale, nuk shesim vetëm hapësira, por jemi të përqendruar te materialet editoriale promocionale, që tashmë janë të dallueshme për lexuesin, që janë me pagesë”.
Vëmendja për të reklamuar online nga kompanitë është shtuar, thotë ajo, ndonëse nuk janë të gatshëm të paguajnë dhe kërkojnë tarifa të lira. Interesi për televizionin mbetet i lartë, edhe pse në internet e mat efektin menjëherë dhe ka kosto më të ulët dhe arritje direkte te klienti.
Buzi thotë se problem është fakti që tregu i mediave online është i parregulluar nga ana ligjore dhe kjo lë shteg për abuzime, si nga tatimet, ashtu dhe aktorët e tregut.

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz