Znj. Luljeta Minxhozi është zgjedhur në funksionin e Zëvendësguvernatorit të Parë të Bankës së Shqipërisë. Emërimi i saj është bërë nga Këshilli Mbikëqyrës, pas propozimit të guvernatorit të Bankës së Shqipërisë, Gent Sejko, bëri të ditur Banka në një njoftim për shtyp.
Emërimi i znj. Minzhozi erdhi pasi më parë, Kuvendi i Shqipërisë miratoi 6 anëtarët e rinj të Këshillit Mbikëqyrës të Bankës së Shqipërisë, duke i dhënë fund ngërçit dy mujor të mosfunksionimit të këtij Këshillit për shkak të mungesës së kuorumit.
Gjashtë anëtarët e rinj të përzgjedhur janë Ridvan Bode, Artan Hoxha, Suela Popa, Luljeta Minxhozi, Edlira Luçi, Arben Malaj, të clët zëvendësuan 6 anëtarët që u kishte mbaruar mandati: Dhori Kule, Ela Golemi, Elisabeta Gjoni, Petraq Milo, Arben Malaj, Denada Prifti.
Tre anëtarët e tjerë janë Gent Sejko, që është aktualisht dhe guvernator i Bankës së Shqipërisë, Natasha Ahmetaj, që është zv/guvernatorja e dytë e Bankës së Shqipërisë dhe z.Tonin Kola.
Znj. Minxhozi zëvendëson në këtë mënyrë, znj.Elisabeta Gjoni, e cila ishte Zëvendësguvernatore e Parë e Bankës së Shqipërisë që prej muajit janar 2012.
Sipas jetëshkrimit të publikuar në faqen e Bankës së Shqipërisë, Prof. Dr. Minxhozi u diplomua si ekonomiste në Universitetin e Tiranës, në vitin 1982. Ajo mban titullin “Profesor” që prej vitit 2011. Gjatë periudhës 1982-2017, ajo ka ndjekur një sërë programesh akademike në universitete të njohura të Evropës.
Në vitin 1982, nis karrierën akademike si pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë në Universitetin e Tiranës, pasuruar më tej me eksperienca në universitete të ndryshme, ku veçojmë pozicionin e Dekanes së Fakultetit të Ekonomisë në Universitetin Europian të Tiranës, për periudhën 2008-2018, dhe pozicionin e Zëvendësrektores në Kolegjin Universitar “Luarasi”, në vitin 2018.
Gjatë eksperiencës së saj të gjatë akademike, Prof. Dr. Minxhozi është angazhuar si pedagoge titullare në lëndë të ndryshme të fushës ekonomike dhe financiare në një sërë universitetesh, brenda dhe jashtë vendit, dhe është autore e shumë studimeve të karakterit ekonomik, artikujve shkencorë, botimeve akademike, teksteve universitare dhe monografive, duke bërë që bibliografia e punimeve të saj të jetë mjaft e pasur.
Ajo ka mbajtur një sërë leksionesh dhe referatesh në konferenca kombëtare e ndërkombëtare, duke dhënë kontributin e saj në zhvillimin e debatit akademik dhe ekonomik.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.