Diskrete, “private”, sigurisht. Por jo i pagabueshëm. Nëse qëllimi është ruajtja e sigurt e privatësisë nga bashkëshorti/-ja, prindërit, të afërmit apo personat e ndryshëm që mund të fusin hundën, lundrimi në incognito është zgjidhja ideale.
Shumë përdorues e konsiderojnë si shkopi magjik për të na mbajtur larg syve kureshtarë në internet. Por, gjërat nuk janë kështu. Këtë na e bën të ditur një sondazh i ndërmarrë nga kërkuesit e Universitetit të Çikagos dhe Hanoverit për të verifikuar pritshmëritë dhe besimin e përdoruesve rreth të ashtuquajturit “private browsing”, modaliteti i lundrimit në incognito i pranishëm tashmë në të gjithë software e shfletimit.
Autorët e studimit theksojnë se mënyra e lundrimit “privat” ka disa specifika të sakta: browser nuk e ruan kronologjinë e shfletimit, cookies të faqeve dhe skedarët e përkohshëm. Pra nuk lë gjurmë të aktivitetit tonë në internet në kompjuter dhe ka lindur për të shmangur që një përdorues i dytë të mund të zbulojë lëvizjet tona online në kompjuterin tonë.
Për kë është i dobishëm ky browser? Bashkëshortët tradhtarë dhe adoleshentët janë të parët, por ka disa rrethana në të cilat nuk duam që të tjerë përdorues të gjurmojnë lundrimin tonë në kompjuter. Në këtë mënyrë privatësia jonë është e sigurt nga ata që fusin hundën, por sigurisht jo nga ekspertët. Ekzistojnë dhjetëra mënyra në të cilat mund të gjurmohet lundrimi ynë në internet.
Në studimin e ri, të prezantuar në Proceedings of the 2018 World Wide Web Conference, kërkuesit e Universitetit të Çikagos dhe Hanover hetuan efikasitetin e 13 “kushteve të shërbimit” të vëna në dispozicion nga 6 browser të ndryshëm për të përshkruar mënyrën e tyre të shfletimit në incognito. Për ta bërë këtë gjë, u kërkuan 460 personave të lexonin dokumentet në fjalë dhe më pas t’i përgjigjeshin shkurtimisht një pyetësori me disa situata hipotetike të lundrimit dhe pasojave që do të kishin pasi të përdornin browser në incognito.
23% e të intervistuarve mendonin gabim se duke lundruar në incognito ishte e pamundur të njihej kronologjia edhe nga policia apo agjencitë e tjera qeveritare; 37% u shprehën të sigurt që kjo ishte një mënyrë e sigurt e mosgjurmimit të kronologjisë online nga punëdhënësi; 27% mendonte se lundrimi në incognito mbronte nga viruset dhe malware dhe 40% mendonte se ishte e pamundur të gjurmohej vendndodhja kur ata lundronin në internet nga një celular.
Me fjalë të tjera, lundrimi privat apo në incognito janë terma me një konotacion të tepruar pozitiv, që japin një ndjesi sekreti të pajustifikuar.