Në Vlorë u zhvillua finalja e konkursit për vijën bregdetare, ku fituese u shpall nga juria ndërkombëtare studio belge XDGA, përfaqësuar nga Xaveer de Geyter.
Kryeministri Edi Rama gjatë fjalës së tij tha se ky konkurs hap një kapitull të ri për qytetin e Vlorës. Sipas tij, konkursi për projektin në fjalë ndihmon t’i japim jetë idesë së transformimit rrënjësor të vijës bregdetare të qytetit të Vlorës, por njëkohësisht do të jetë një shembull për t’u ndjekur për zhvillimin e mëtejshëm të infrastrukturës bregdetare në mbarë vendin.
Ai theksoi se është me rëndësi që “ky projekt të jetë dhe shprehje e vetëdijes se përmes dialogut, ideve, vizioneve dhe qasjeve të ndryshme, ne të bëjmë zgjedhjet më të mira, mbi të cilat të bëjmë më të mirën për Vlorën dhe për gjithë vendin.
Pavarësisht se cili do të jetë fituesi Rama shprehu bindjen se “të gjithë të tjerët me idetë e tyre na kanë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm dhe padyshim çdo ide e vlefshme do të jetë pjesë e integruar në këtë projekt madhor, në këtë projekt që hap siparin e rilindjes për Vlorën. Vlora është një qytet shumë i bukur dhe ne do ta bëjmë atë botërisht të njohur si një nga portat më të bukura të Mesdheut.
Ky është një konkurs që na ndihmon t’i japim jetë idesë së transformimit rrënjësor të vijës bregdetare të qytetit të Vlorës, që njëkohësisht do të jetë edhe një shembull transformues për t’u ndjekur më pas, në segmente të tjera të vijë bregdetare të Shqipërisë, por edhe një shembull transformues për sa i përket në tërësi politikës së qeverisë shqiptare lidhur me zhvillimin e integruar turistik, ekonomik, e padyshim, edhe social, të vendit tonë.
Ne jemi të vetëdijshëm për potencialin e jashtëzakonshëm që ka qyteti, jemi të vetëdijshëm për potencialin e jashtëzakonshëm turistik që mbetet për t’u eksploruar e për t’u zhvilluar më tutje, me një vizion të ri, me forca të reja dhe kapacitete të bashkuara mes njerëzish të vendit tonë dhe njerëzish të Evropës e botës ku jetojmë. Është shumë e rëndësishme që ky projekt është në të njëjtën kohë, edhe shprehje e kësaj vetëdije, se përmes dialogut të vizioneve, dialogut të ideve, dialogut të qasjeve të ndryshme, ne mund të bëjmë zgjedhjet më të mira dhe mbi zgjedhjet më të mira ne mund të bëjmë më të mirën për vendin tonë të përbashkët e natyrisht, qytetin tonë të dashur, Vlorën.
Natyrisht do të fitojë vetëm njëri, por në të njëjtën kohë, jam i bindur se gjithë të tjerët, me idetë e tyre do të na kenë dhënë një kontribut të jashtëzakonshëm. Padyshim, çdo ide e vlefshme do të jetë pjesë e integruar në këtë projekt madhor për qytetin tonë, në projektin që hap siparin e Rilindjes për Vlorën”.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.