Me vendndodhje 499 kilometra nga Kontinenti Afrikan dhe 982 kilometra nga Europa, Arkipelagu i Madeiras u zbulua nga lundruesit portugezë në vitin 1418. Përbëhet nga ishulli kryesor Madeira, Porto Santo dhe ishujt e braktisur Selvagens dhe Desertas. Në sajë të klimës së butë dhe peizazheve të shumëllojshëm, Madeira është kthyer në destinacionin turistik më të preferuar të Portugalisë, duke tërhequr udhëtarë nga e gjithë bota, gjatë gjithë vitit.
Madeira njihet si një nga destinacionet më romantike në botë, vendi i përsosur për të kaluar muajin e mjaltit. Çiftet preferojnë të shëtisin përgjatë rrugëve të vjetra dhe të qeta të Funchal dhe të admirojnë bimët dhe lulet e panumërta që e bëjnë këtë qytet 500-vjeçar të duket si një kopsht botanik. Kryeqyteti i Madeiras njihet midis adhuruesve të luleve dhe organizon një nga festivalet më të famshme dhe të mëdha të luleve në botë. Rruga Lido, zona më e admiruar e Funchal, ka pjesën më të madhe të hoteleve me katër dhe pesë yje, si dhe një numër të madh butikësh shik ku mund të blihen suvenirët perfektë.
Një nga atraksionet që duhet t’i shihni në Madeira është Kopshti Tropikal Monte Palace, një parajsë botanike pranë Funchal. Ky park prej 70,000 metrash katrorë ka bimë ekzotike që janë mbledhur nga e gjithë bota, si dhe shumë bimë indigjene nga pyjet e pasur të Madeiras. Ujëvarat artificiale që janë ngritur në të gjitha pjesët e kopshtit dhe liqenet e mbushura me peshq të bukur Koi, ia shtojnë bukurinë këtij kopshti tropikal, duke e bërë një destinacion të paharrueshëm.
Turistët që preferojnë jetën e natës duhet të gjejnë një destinacion tjetër pushimesh. Ky vend preferohet nga turistët romantikë dhe ata që dëshirojnë një pushim absolut nga jetët e tyre të stresuara.