Edhe pse për shumë vende turistike, rritja e numrit të vizitorëve është një prej arritjeve më të mëdha, për Kawachi Fujien në Japoni, ndodh krejt e kundërta. Autoritetet vendase mundohen që të mos nxjerrin asnjë formë reklamimi për këtë vend përrallor, sepse kanë frikë se një numër turistësh gjithnjë e më shumë në rritje, mund ta dëmtojë një mrekulli të tillë.
Pranvera është periudha e duhur për të vizituar dhe për të shijuar mrekullinë e kopshtit dhe tuneleve me shelgje të Kawachi Fujien (3000 metra katrorë) , vetëm pesë orë larg Tokios në Japonisë. Zakonisht ky kopsht hapet nga fundi i prillit dhe qëndron i hapur deri në mes të majit, por datat ekzakte ndryshojnë nga viti në vit, sepse edhe periudha e çeljes së luleve nuk është asnjëherë e njëjtë.
Por kopshti Kawachi Fuji nuk vizitohet vetëm në pranverë, por edhe në vjeshtë dhe peizazhi me të cilin do të ndesheni është krejtësisht ndryshe, por sërish me të njëjtën magji. Këshillohet që për ata që duan ta vizitojnë gjatë periudhës të vjeshtës të zgjedhin datat e sakta ndërmjet mesit të muajit shtator dhe mesit të muajit tetor.
Një tablo e tillë shumëngjyrëshe dhe dehëse daton që në vitin 1970 dhe sot përmban rreth 150 pemë në 22 varietete llojesh dhe ngjyrash ku më shumë mbizotëron ngjyra rozë, lejla dhe bluja.
Një prej atraksioneve më fantastikë në këtë kopsht janë edhe 2 prej tuneleve të tij më të famshëm, ku i pari është 220 metra i gjatë ndërsa i dyti është 80 metra i gjatë.
Investimi që bëhet në këtë vend viti për vit, kostot e mirëmbajtjes, si dhe rritja e numrit të vizitorëve kanë ndikuar edhe në shtrenjtimin e kostos së biletës hyrëse.
Çmimi i biletave varet kryesisht nga lulëzimi i shelgjeve. Në periudhën kur ato sapo kanë filluar të lulëzojnë, çmimi i biletës hyrëve është 500 jen; në periudhën kur gjysma e tyre kanë çelur, bileta kushton 1,000 jen, ndërsa në periudhën kur kanë çelur të gjitha, ajo kushton 1,500 jen. Këshillohet që ju t’i blini biletat përpara se të arrini tek ky kopsht sepse në hyrjen e tij biletat mund të jenë më të shtrenjta. Disa prej vendeve ku ju mund t’i blini ato janë dyqanet: 7-11, Mart ose Sunkus.
Duke qenë kopshte private, ato ndodhen në një zonë që nuk është e aksesueshme nga linjat e transportit publik, prandaj marrja me qira e një makine është e domosdoshme.
Mrekulli të ngjashme si ajo e shelgjeve të Kawachi Fujien, mund të gjenden edhe në Parkun e Luleve Ashikaga në veri të Tokios.
Ndërsa Parku Hitachi në lindje të kryeqytetit dallohet për çeljen e mijëra luleve ngjyrë blu dhe mbi 170 llojesh të ndryshme tulipanësh.
Këto kopshte janë edhe një prej simboleve kryesore të disa prej poezive më të njohura (waka) të letërsisë klasike japoneze.