Nga salloni i “Tokyo Motor Show” mbërrijnë shenjat e para pozitive të rritjes së Japonisë, e cila pasi përballoi krizën botërore të 2008-s, po përpiqet të kalojë problemet e brendshme të lidhura me “tërmetin e madh të lindjes” më 11 mars.
Në pak muaj, Japonia ka ngritur kokën, duke arritur me një hap të zgjuar drejt normalitetit, me shumë dëshirë për të rifilluar. Këtë e tregon edhe sektori i automobilave, protagoniste në javën e parë të dhjetorit me “Tokyo Motor Show”, duke u kthyer pas 24 vitesh në kryeqytetin japonez.
Në këtë edicion të mbyllur javës së kaluar, ishin të gjitha kompanitë prodhuese japoneze, por edhe markat e huaja me grupin “BMW e Volkswagen”, të cilat prezantuan “BMW Active Hybrid5”, “Volkswagen Alltrack” dhe “Audi A1 Sportback”. Dy të fundit prezantohen pothuajse njëkohësisht në Europë (në Bolonja). Në sallone ka ngjallur interes të veçantë “Cross Coupé”. Në total ka pasur 53 prezantime paraprake të kompanive ndërkombëtare e 82 për Japoninë, të prezantuara nga 179 marka që vinin nga 12 vende prodhuese. Në këtë sallon mungonin tri kompanitë më të mëdha amerikane të automobilave.
Në hollet më të mëdha për vizitorët paraqitet një “fotografi” e lëvizjeve në të ardhmen, përmes disa llojeve prej kohësh protagonistë në sallonin e Tokios. Në pavijonin e kushtuar “Smart Mobility City”, mund të kuptohej si do të udhëtohet në vitet 2040-2050. Në pavijon tregohen sisteme të ndryshme të rikarikimit të automjeteve pa fije, madje edhe ndërveprimi mes shtëpisë dhe makinës elektrike.
Në stendën e “Nissan”, bashkë me shumë risi të tjera ra në sy “Pivo3”, zhvillimi natyral i “Pivo1” e “Pivo2” të para vitet e kaluara, gjithnjë e më afër modelit përfundimtar për t´u industrializuar. E gjatë më pak se 3 metra pranon 3 persona, me shoferin të vendosur në qendër. E shkathët në hapësira të reduktuara përdoret me motorë të futur në rrotat drejtuese që i lejon “Pivo3” të rrotullohet mbi vetveten në një hapësirë prej vetëm katër metrash, e pajisur me sistemin më të avancuar të parkimit automatik, ajo arrin të përcaktojë një hapësirë të disponueshme, të bëjë manovrën pa ndihmën e shoferit, të rikarikohet gjatë qëndrimit dhe të kthehet te pronari, si një qen shumë mirë i mësuar, kur pronari ta ketë kërkuar me një smartphone të thjeshtë. Pra është pikërisht prototipi i makinës së të ardhmes që komunikon me drejtuesin dhe ndërvepron me komunitetin përreth, duke përdorur burime të qëndrueshme.
Idetë po bëhen palë e konkretes. “Nissan” është duke punuar në një gamë të gjithë automobilave me zero emision në hapësirë. “Modeli i dytë elektrik, pas ‘Leaf´, për të cilat kemi marrë tashmë porosi, është mjeti tregtar ‘NV200´ (një i afërm i ngushtë i ‘Kangoo Renault´). Ajo pritet të arrijë në Itali në 2013-n”, shpjegon Andrea Alessi, përfaqësues i “Nissan”, për Italinë. Ai shpjegoi se në Tokio debutuan edhe me markën e re “Nismo”, që karakterizon modelet sportive.
Protagoniste është edhe “Toyota”, me pesë prezantime të reja paraprake, ndër të cilat “Fun-Vii” (Fun Vehicle interactive internet), me ngjyrë bazë të zezë e ngjyra të ndryshme e funksione të ndryshme në karroceri, e cila prezantohet si një ekran i madh i një smartphone. Është e personalizueshme me të njëjtën lehtësi me të cilën shkarkohen aplikacionet, si brenda edhe jashtë, duke ndryshuar pamjen e saj. Ka funksione ndërveprimi shumë të përparuara dhe parashikon edhe mundësinë e drejtimit automatik, e gjitha e përmbajtur në një gjatësi prej 4,02 metrash, ku fton deri në 3 persona. Për të qenë më konkret, që nga 20 janari “Toyota” do të fillojë të shesë në Japoni përkundrejt 3,2 milionë Yen (rreth 31 mijë euro) mjetin “Prius Plug”, makinë që e ka arritur pavarësinë vetëm me burim elektrik deri në 26,4 kilometra. Me një eficiencë të lartë konsumi, shtëpia prodhuese parashikon të shesë 3540 mijë në vit vetëm brenda vendit.
Ndërkohë “Toyota” ka bërë të ditur një bashkëpunim me BMW në teknologjinë e mbrojtjes së mjedisit, që do të shtrihet në kërkimet për bateritë e një gjenerate të re.
Po aq të rëndësishme, kompanitë e tjera prodhuese si “Mazda”, “Mitsubishi”, “Daihatsu”, “Subaru”, “Suzuki”, mbi të gjitha me llojet e prodhimeve për tregjet lokale. “Honda” ka prezantuar mjetin e vogël dyvendësh elektrike “Ev-Ster” që pritet të mbërrijë në Europë në 2013-n, me trupin në fibra karboni, 160 kilometra pavarësi dhe “Fit Ev” e gatshme pas pak (2012) për Japoninë e SHBA-të.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.