Pavarësisht marrëdhënieve të ftohta mes Rusisë dhe Malit të Zi, një në tre kompani e huaj është në pronësi të rusëve. Kjo bëhet e ditur nga shifrat e publikuara nga Agjencia Shtetërore e Statistikave (Monstat).
Sipas të dhënave të Monstat, më shumë se 4200 sipërmarrje me pronësi të huaj janë regjistruar në Mal të Zi, nga të cilat rreth 32% janë në pronësi të rusëve.
Të dhënat tregojnë një rritje të numrit të kompanive dhe ndërmarrjeve me pronësi ukrainase – 10.6% në vitin 2016 krahasuar me 6% në vitin 2014.
Kërkimet e Monstat tregojnë gjithashtu se numri i kompanive të huaja të regjistruara është dyfishuar në shtatë vitet e fundit.
Blagoje Banicevic, nga Klubi rus i Biznesit në Mal të Zi, tha për BIRN se shifrat konfirmojnë atë që është bërë tashmë një tendencë vitet e fundit, veçanërisht që nga viti 2008, kur rusët u kthyen në investitorët më të mëdhenj në vend.
Në vitin 2012, Mali i Zi miratoi një ligj të ri për të huajt, në të cilin thuhet se ata mund të qëndrojnë në Mal të Zi për një vit pa leje qëndrimi nëse zotërojnë një pronë.
Por Banicevic thotë se jo të gjithë rusët kanë hapur biznes për të marrë një leje qëndrimi. Ai shton se kjo mund të jetë arsyeja në 20-30% të rasteve.
Në dhjetë vitet e fundit, më shumë se 2 miliardë euro u futën në Mal të Zi nga Rusia, por jo të gjithë i kanë krijuar kompanitë për arsye turizmi. Pjesa më e madhe e kompanive ruse kanë ende interes për të vepruar në Mal të Zi – tha ai.
Sipas disa sondazheve, më shumë se 40% e pasurive të patundshme në Mal të Zi u përket politikanëve dhe miliarderëve rusë.
Marrëdhëniet midis dy vendeve u ftohën në mars të vitit 2014, kur Mali i Zi iu bashkua sanksioneve të Bashkimit Europian kundër Rusisë për aneksimin e Krimesë.
/Balkaninsight