Pa një sistem të përshtatshëm të magazinimit dhe shpërndarjes së ushqimit, fermat e vogla lokale, pavarësisht nga numri i tyre, nuk mund të sigurojnë ushqim të mjaftueshëm për ekonominë e sotme. Supermarketet dhe zinxhirët e hoteleve duhet t’i planifikojnë përpara blerjet e tyre. Dhe nëse fermat e vogla fqinje nuk mund të garantojnë sasinë e duhur të furnizimit me domate, do të jetë gjithnjë dikush tjetër përtej kufirit i cili do ta bëjë.
Për sa u përket fermerëve në shkallë të vogël, nëse ata nuk kanë blerës të besueshëm, vështirësitë me të cilat do të ndeshen në gjetjen e financave të nevojshme për t’u zgjeruar do të jenë shumë të mëdha.
Tani, falë një qendre shtetërore të re të shpërndarjes, të ndërtuar nga shitësi kryesor ushqimor i vendit, Voli, me mbështetjen e BERZH-it, situata pritet të ndryshojë.
Mali i Zi, një shtet me vetëm 600,000 banorë në bregdetin e Adriatikut, është një prej vendeve me nivelin më të lartë të turistëve në Europë. Ekonomia e Malit të Zi, nga hotelet dhe restorantet e mëdha deri te kafene të vogla, mbështetet shumë në turizëm, duke mos harrur të përmendim këtu faktin që turizmi përbën rreth 22% të PBB-së së vendit.
Megjithatë, ajo që shumë turistë nuk e kuptojnë, pavarësisht se ndoshta ata mashtrohen nga kopshtet me perime përgjatë bregdetit të këtij shteti, është se me shumë gjasa kanë konsumuar ushqim të importuar. Bujqësia zë 10% të PBB-së së vendit dhe punëson rreth 6% të fuqisë punëtore.
Edhe pse Mali i Zi ka kushte natyrore të favorshme për rritjen e produkteve cilësore, duke përfshirë këtu si klimën e butë, tokën e pakontaminuar dhe ujë me shumicë, një element kryesor për ujitjen e tokës, ky shtet aktualisht importon sasi të mëdha frutash dhe perimesh nga Bashkimi Europian dhe vendet fqinje si Serbia.
Dhe rritja e turizmit në këtë vend po shoqërohet edhe me një rritje të importit të frutave dhe perimeve, në vend që një gjë e tillë të stimulonte në rritjen e bujqësinë brenda vendit. BERZH beson se Mali i Zi ka një potencial të madh për të zëvendësuar shumë prej këtyre importeve me prodhime vendase dhe për më tepër me një cilësi më të lartë, me atë të produkteve të importuara. Një mënyrë për të mundësuar lidhjen midis fermerëve dhe furnizuesve do të ishte përdorimi i një qendre kombëtare të shpërndarjes.
Deri më tani, Mali i Zi nuk kishte as një magazinë të mjaftueshme për të ruajtur në temperaturën e duhur perime të ndryshme. Por kjo gjë ka ndryshuar tashmë.
Në shtator të 2017-s, Voli hapi një qendër të re të shpërndarjes në Podgoricë, e financuar nga një investim i BERZH-it. Qendra 14,000 m² ka për qëllim jo vetëm furnizimin e dyqaneve të Volit, por edhe ato të shitësve të tjerë.
Rrjedhimisht do të lidhë furnizuesit lokalë me konsumatorët me shumicë dhe pakicë. Me kalimin e kohës, Voli planifikon të blejë më shumë fruta, perime dhe produkte bulmeti nga furnizuesit ekzistues lokalë dhe të tërheqë furnizues të rinj.
Duke lidhur një kontratë me një qendër shpërndarjeje të këtij lloji, fermerët vendas do të kenë më tepër të ardhura të qëndrueshme dhe do t’u japin konsumatorëve me shumicë, të tilla si hoteleve, një furnizim të besueshëm dhe më se të mjaftueshëm me prodhime vendase.
Miljan Zdrale, kreu rajonal i BERZH-it për Agrobiznesin, tha se “që kur BERZH-i filloi të punojë me Volin në vitin 2009, kompania ka përmirësuar qeverisjen e korporatave në bashkëpunim me Bankën. Duke qenë kompania më e madhe në vend, Voli mund të tregojë shembullin e suksesit të saj edhe për korporatat më të vogla malazeze, duke vendosur qeverisjen e saj korporative në të njëjtën linjë me atë të kolegëve rajonalë. Voli e sheh veten si forcën kryesore drejt nxitjes dhe rritjes së vlerave vendase.
Z. Zdrale është përfaqësuesi i BERZH-it në bordin e drejtorëve, i cili përfshin edhe një anëtar të jashtëm të bordit, Paul Foley, me 30 vjet përvojë në shitjen me pakicë.
Dragan Bokan, CEO-ja i Volit, u shpreh se “hapja e qendrës së shpërndarjes është hapi i parë në zhvillimin e zinxhirit të furnizimit. Ajo u perceptua si një nismë e rëndësishme jo vetëm nga furnizuesit tanë vendorë dhe rajonalë, që ishin të pranishëm në ceremoninë e hapjes, por edhe nga autoritetet kombëtare.
Para zhvillimit të këtij eventi, u mbajt edhe një sesion informal me kryeministrin, Duško Markoviç, i cili u takua me mua, me z. Zdrale të EBRD-së dhe 15 biznesmenë të rëndësishëm nga Kroacia, Mali i Zi, Serbia dhe Sllovenia, për të diskutuar në lidhje me sfidat dhe mundësitë e investimeve në Mal të Zi. Paralelisht me financimin e BERZH për sektorin e agrobiznesit të Malit të Zi, i cili ka arritur një vlerë prej 33 milionë eurosh, Banka Qendrore po ndihmon në rritjen e cilësisë së produkteve vendase.
Ekipi Këshillues i Agrobiznesit të BERZH-it, në partneritet me Organizatën e Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO), dhe me mbështetjen e Ministrisë malazeze të Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, ka vendosur të krijojë një plan zhvillimi për sektorin e hortikulturës, duke përfshirë standarde specifike mbi nivelin e cilësisë, si indikacionet gjeografike të Malit të Zi, certifikatat e ushqimit organik ose Praktikat e Mira Agrikulturore (GAP).
BERZH-i dhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë të Kombeve të Bashkuara, në partneritet me prodhuesit dhe përpunuesit vendas të mishit, po ndikojnë në rritjen dhe përmirësimin e standardeve të cilësisë në Mal të Zi.
Tani ne po bashkëpunojmë si me shitësit me pakicë ashtu edhe ata me shumicë, për të krijuar lidhje sa më të forta të zinxhirit furnizues, por duke i kushtuar rëndësi të veçantë sigurisë së produkteve dhe ruajtjen e cilësisë së tyre sipas standardeve europiane.
Kur këto projekte të realizohen plotësisht, i gjithë vendi dhe duke përfshirë këtu edhe turistët dhe investitorët, do të përfitojnë nga ushqimi malazez i freskët dhe autentik.