Mali i Zi / Me sytë nga TAP

13/07/2018 10:08 PM 0 komente

Ministria e Ekonomisë së Malit të Zi është shprehur se gazsjellësi që do të vijë nga Azerbajxhani në Europë, dhe që po ecën sipas planifikimeve, do të nxisë shumë ekonominë e vendit dhe do të sjellë edhe përfitime për konsumatorët, shkruan Dusica Tomovic për BIRN.

Ky tubacion, ndërtimi i të cilit u shpall në vitin 2013, do të transportojë gaz natyror nga fusha e gazit Shah Deniz në Azerbajxhan, përmes Greqisë dhe Shqipërisë dhe pastaj nëpërmjet detit Adriatik do të kalojë deri në Itali. TAP mund të furnizojë edhe disa vende të tjera në rajon, përfshirë Bullgarinë, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë.

Ministria e Ekonomisë tha se tubacioni i gazsjellësit Adriatik-Ionian, IAP, si pjesë e tubacionit TAP, me gjatësi rreth 511 km, do të kalojë përmes Shqipërisë, Kroacisë, Malit të Zi dhe Bosnjës dhe do të mundësojë gazifikimin e këtij rajoni. Ministria malazeze e Ekonomisë prej pak kohësh ka filluar intensifikimin e komunikimeve me Ministrinë e Infrastrukturës dhe Energjisë në Shqipëri, për të zbatuar bashkërisht IAP-in. Njëkohësisht është përgatitur një kërkesë e përbashkët për projektin paraprak prej 2.5 milionë eurosh.

“Pas takimit ministror të mbajtur në Baku në fillim të këtij viti, u arrit një marrëveshje për krijimin e një kompanie të re për projektimin e Tubacionit Adriatik-Ionian (IAP), që do të jetë edhe hapi i ardhshëm në të gjithë procesin.

Duke e lidhur rajonin e Ballkanit me rrjetin europian të gazit, TAP synon kryesisht reduktimin e varësisë së Europës nga gazi natyror i Rusisë. Tubacioni është duke u ndërtuar si pjesë e Korridorit Jugor të Gazit, të cilin Bashkimi Europian e sheh si një ndër projektet më të rëndësishme strategjike në fushën e energjisë.
Më 6 shkurt, Banka Europiane e Investimeve, BEI, njoftoi se kishte miratuar 1.5 miliardë euro për të financuar tubacionin. Puna për ndërtimin e TAP-it është në proces e sipër, me 65% të projektit të përfunduar në fund të vitit 2017.

Gazsjellësi TANAP, që do të transportojë gaz nga Shah Deniz 2 në Azerbajxhan, përmes Turqisë në Europë, u vu në punë pak ditë më parë. Ai u përurua zyrtarisht nga Presidenti turk Rexhep, Tajip Erdogan, dhe Presidenti i Azerbajxhanit, Ilham Aliyev.

Ministria e Ekonomisë malazeze tha se në përurimin e gazsjellësit që u mbajt në Eskisehir të Turqisë ishin të pranishëm edhe ministrja e Ekonomisë, Dragica Sekuliç, dhe sekretari i Shtetit, Nikola Vujoviç. “Për Malin e Zi, fillimi i punës së gazsjellësit TANAP do të thotë një hap më afër gazifikimit të shtetit dhe rritjes së mundësive për të pasur një treg të rëndësishëm të gazit”, përfundoi njoftimin Ministria e Ekonomisë malazeze.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of