Detyrimi financiar i Malit të Zi kundrejt NATO-s në formën e anëtarësimit do të jetë çdo vit rreth 450,000 euro.
Zyra për komunikim e Këshillit për Anëtarësim në NATO deklaroi se në samitin e 25 majit, Mali i Zi do të bëhet shteti i 29-të anëtarë.
“Shpeshherë publikohen informacione të rreme se NATO kërkon 2 për qind të PBV-së për anëtarësim. Kjo është krejtësisht e gabuar, sepse ka dy lloje të shpenzimeve, një është anëtarësimi të cilin e paguajnë të gjithë dhe e njëjta për Malin e Zi kap shumën prej 450.000 euro, ose 0,027 për qind të buxhetit të përbashkët vjetor të NATO-s. Grupi i dytë i shpenzimeve janë kostot e sistemit të mbrojtjes së brendshme të Malit të Zi i cili ka buxhet të mbrojtjes prej rreth 50 milionë euro, për çka 450 mijë euro për anëtarësimin janë absolutisht të pranueshme dhe të arritshme”, thuhet në njoftimin e Këshillit.
Në të sqarohet se nisma e cila kërkon nga shtetet anëtare të NATO-s të ndajnë 2 për qind të BPV-së për anëtarësim, ka të bëjë ekskluzivisht për mjete për mbrojtjen e vet shteteve anëtare, dhe se kjo në Mal të Zi shpesh përmendet në kontekst të gabuar.