Mallrat dhe monedhat, pritshmëritë e një “lidhjeje të komplikuar”

02/07/2013 10:16 AM 0 komente

Si priten në afatin e gjatë ecuria e çmimit të naftës dhe të arit. Korrelacioni mes produkteve kryesore dhe monedhave australiane e kanadeze

Nga Jurgen Kopliku*

Jo shumë kohë më parë, çmimet e naftës, çelikut dhe arit (thjesht për të përmendur disa) mendohej se do vazhdonin të rriteshin pa pushim, të nxitura nga Kina që po hynte në dekadën e tretë të një rritjeje marramendëse. Kina përbën një nga ekonomitë më të mëdha të botës, dhe mallra si nafta janë elemente kyçe që përdoren në shumë industri. Megjithatë, çmimet e mallrave filluan të bien që nga 2008-2009, shoqëruar nga rritja e ngadaltë dhe rënia e kërkesës në ekonomitë e zhvilluara. Kjo rënie u ndërpre nga një nxitje e kërkesës që vinte nga ekonomitë në zhvillim (sidomos nga Kina) në 2010. Por që nga tremujori i dytë i 2011-s, situata mori një tjetër kthesë negative. Sipas agjencisë së informacionit “Bloomberg”, mallrat janë 16% poshtë pikut (peak) që arritën në prill 2011. Ky trend pritet të vazhdojë.

 

Nafta, ulje në afatin e shkurtër, stabilitet në afat gjatë

Nga një pikëpamje paksa afatgjatë, është e rëndësishme të përmendim që çmimi i naftës po sulmohet nga dy fronte njëkohësisht:

-E para, duhet vënë theksi te efikasiteti në konsumin e naftës, që vjen si rrjedhim i zhvillimit të teknologjisë. Kemi parë kohët e fundit trende si makinat elektrike, makineri efikase në përdorimin e naftës, apo impiante gazi që gjithmonë e më shumë kthehen në realitet. Bujqësia gjithashtu është bërë më produktive me përdorimin e etanolit. Këto fenomene krijojnë tendenca negative mbi çmimet e naftës për shkak të uljes së kërkesës.

-Së dyti, edhe nga krahu i ofertës, zhvillimet në teknologji kanë bërë progres në fushat e eksplorimit dhe nxjerrjes së naftës duke shtuar rezervat botërore dhe duke ulur kostot. Kështu është bërë i mundur instalimi i platformave në kushte ekstreme (3000 metra nën nivelin e detit ose punimet në Detin Arktik). Për më tepër, SHBA, konsumuesi më i madh në botë i naftës, po kalon një revolucion në krijimin dhe përpunimin e gazit nga shistet argjilore. Kjo ka rritur shumë inventarin e naftës së SHBA-së, duke krijuar një tronditje të ofertës botërore.

Pritet që çmimet e naftës nuk do të shohin rritje të qëndrueshme (megjithëse mund të ketë oscilacione) për sa kohë që ekziston një tejkalim i ofertës në lidhje me nivelin e ekuilibrit. Sidoqoftë, të dy këta faktorë janë afatgjatë dhe është vështirë të parashikohet me saktësi se kur mund të shohim një inkorporim të këtyre fenomeneve në çmimet e naftës.

Nga një pikëpamje më afatshkurtër, që mbron argumentin e rënies së çmimit në muajt në vazhdim, mjafton të analizosh lajmet e faqeve të para të gazetave financiare. Kriza e borxhit të shteteve europiane dhe ndalesa e rritjes së Kinës janë dy sinjale të rëndësishme. Indeksi i majit mbi industrinë kineze sipas bankës zvicerane HSBC ra poshtë 50, shifra më e ulët në 7 muajt e fundit.

 

Edhe ari në rënie

Një tjetër mall shumë i rëndësishëm në tregjet ndërkombëtare është ari. Ari historikisht ka pasur një lidhje të anasjelltë me monedhën amerikane. Kur dollari dobësohet, çmimi i arit tenton të rritet dhe anasjelltas. Ky fenomen vjen që nga koha kur përdorej standardi i arit në ekonomi, dhe si rrjedhim i faktit që ari është një mall shkëmbimi midis ekonomive dhe kuotohet në dollarë. Dhe kur ky i fundit dobësohet, ari është relativisht më i lirë për monedhat e tjera, gjë që çon në rritje të kërkesës, dhe si rrjedhim, të çmimit gjithashtu.

Pritet që çmimi i arit të vijojë në rënie për të paktën tri arsye:

-Ari ka tendencë të rritet në kohët kur rreziku i inflacionit është i lartë. Sigurisht në SHBA kemi parë trefishim të bazës monetare (si rrjedhim i politikës së lehtësimit sasior) gjë që të bën të mendosh për hiperinflacion në kushte normale. Por kemi parë gjithashtu një kolaps të asaj që quhet shpejtësia e parasë (velocity of money), shpejtësia me të cilën paraja e re qarkullon në ekonomi. Kjo nënkupton që inflacioni për momentin nuk është një rrezik.

– Shtetet që po vuajnë pasojat e krizës kanë rezerva të mëdha ari, që mund të vendosin t’i shesin për të lehtësuar nivelin e borxhit (p.sh. Italia ka mbi 130 mld $ ar). Kjo do çonte në një ulje të menjëhershme të çmimeve. Kujtoj këtu rastin e Qipros. Kur u përfol që Qipro mund të shiste 400 mln dollarë rezerva ari, çmimi ra 13% brenda ditës më 16 prill të këtij viti, luhatje e paparashikueshme nga modelet statistikore.

-E fundit, dhe me shumë gjasa, më e rëndësishmja është ecuria e politikës së lehtësimit sasior në SHBA. Guvernatori i Federal Reserve, Ben Bernanke, po jep sinjale të një ngadalësimi të ritmeve të blerjes së bonove të thesarit amerikane nga FED në muajt në vazhdim. Kjo detyrimisht do çojë në një forcim të monedhës amerikane dhe në një rritje të normave të interesit. Të dy këta faktorë ndikojnë negativisht në çmimin e arit.

 

Korrelacioni i monedhave me çmimet e naftës dhe të arit

Shumë vende eksportojnë/importojnë sasi të mëdha mallrash, gjë që i bën ekonomitë e tyre të varura nga çmimet e mallrave përkatëse. Vende si Kanadaja, për shembull, janë shumë të ndjeshme ndaj luhatjeve në çmimet e naftës. Kanadaja është një eksportues i fuqishëm i naftës (dhe njëkohësisht vendi i dytë në botë pas Arabisë Saudite për rezervat e naftës). Vende të tjera eksportuese, si Australia, përfitojnë nga një rritje në çmimin e arit dhe anasjelltas, për shkak se eksportojnë sasi të mëdha të metalit me vlerë. Si rrjedhim, është interesant fakti që monedhat e këtyre vendeve kanë një korrelacion të lartë me çmimet e naftës dhe arit (respektivisht 80% për dollarin kanadez gjatë viteve 2006-2009 dhe 85% për dollarin australian gjatë 15 viteve të fundit). Ky, për mendimin tim, është një nga faktorët që shpjegon edhe zhvlerësimin e këtyre dy monedhave në 20-30 ditët e fundit.

Shtetet si Australia apo Kanadaja nuk janë të vetmet që gëzojnë këtë veçori. Përkundrazi, ky fenomen vërehet më shumë te shtetet në zhvillim dhe te monedhat e tyre, si dollari nju zelandez, randi i Afrikës së Jugut, reali brazilian apo peso kilian. Prandaj monedhat e këtyre vendeve quhen “commodity currencies”.

Shumë investitorë monitorojnë në mënyrë të vazhdueshme çmimet në kategori të ndryshme asetesh, për shkak të korrelacionit që ekziston mes tyre. Kini në mendje, që kur të menaxhoni portofolin tuaj të aseteve, dhe kërkoni të shfrytëzoni një rënie apo rritje të çmimeve të mallrave të ndryshme, duke investuar në monedhat përkatëse, mund të fitoni interes që paguhet nga banka qendrore e vendit përkatës. Kjo funksionon sigurisht vetëm në qoftë se ju e blini monedhën e vendit përkatës (long position), ndërsa në rastin e kundërt (short position) do jeni ju që do të paguani interesin.

*Student në Universitetin Bocconi

 

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of