Çmimet e mallrave që importojmë janë bërë më të lira në tremujorin e tretë të këtij viti, pasi sipas njoftimit të sotshëm të INSTAT, Indeksi i Çmimeve të Importit u ul me 1,8% në tremujorin e tretë 2018, në krahasim me të njëjtën periudhë të 2017-s. Gjithashtu indeksi u ul me 1, 4%, krahasuar me tremujorin e dytë 2018.
Çmimet e importit të produkteve në aktivitetet e industrisë përpunuese, e cila zë peshën më të madhe në Indeksin e Çmimeve të Importit, kanë shënuar ulje me 1,2%, krahasuar me të njëjtën periudhë të vitit të mëparshëm.
Ndikimin kryesor në këtë rënie e kanë dhënë çmimet e importit të produkteve në aktivitetet “Përpunimi i produkteve ushqimore” me 2,7 %, “Prodhimi i makinerive dhe pajisjeve p.k.t” me 1,8 %.
Krahasuar me tremujorin e tretë 2017, çmimet e importit të produkteve në aktivitetin “Përpunimi i koksit dhe rafineria e nënprodukteve të naftës” kanë shënuar rritje me 7,7%.
Indeksi i Çmimeve të Importit në tremujorin e tretë 2018 shënoi ulje me 1,4% krahasuar me tremujorin e dytë 2018.
Referuar së njëjtës periudhë krahasimi, çmimet e importit në seksionin “Industria Përpunuese” e cila zë peshën më të madhe në Indeksin e Çmimeve të Importit kanë shënuar ulje me 1,3%.
Duke qenë se ekonomia e vendit tonë është e orientuar kryesisht në import, çmimet e mallrave që blihen në tregjet e jashtme janë një përbërës i konsiderueshëm i inflacionit në vend. Në periudha të caktuara ato përbëjnë formojnë më shumë se 50% të ritmeve të rritjes së çmimeve në vend.
Më ndikimin më të madh në këtë grup është nafta. Rritja e çmimeve të naftës gjatë tremujorit të dytë të këtij viti ndikoi në 0.2 %në rritjen e inflacionit në vendin tonë sipas një vlerësimi të detajuar të Bankës së Shqipërisë.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.