Në rast se Manchester United fiton kundër Ajax në finalen e Europa League do t’u paguajë lojtarëve të tij 38 milionë sterlina (45 milionë euro).
Ndeshja do të luhet më 24 maj në “Friends Arena” në Stokholm dhe nëse Red Devils do të fitonin, do të arkëtonin konkretisht çmimin më të lartë të fituar ndonjëherë në historinë e këtij kompeticioni.
Të ardhurat prej 38 milionë sterlinash janë megjithatë më shumë se 22.5 milionë (gjithnjë sterlina – rreth 26-27 milionë euro) që Manchester United do të humbë në rast se mundet në finale, për shkak të kualifikimit të munguar në Champions League, parashikuar në marrëveshjen me Adidas.
Klubi ka një politikë të pazakontë për bonuset, ku kualifikimi në Champions League do t’u siguronte një rritje të pagave të futbollistëve prej 25% përveç bonusit prej 1 milion sterlinash të përfshirë në skemën e shpërblimeve të klubeve.
Në ndryshim nga rivalët e tyre në Premier League, Manchester City dhe Arsenal, që u japin bonuse lojtarëve të tyre për t’u futur në Champions League, marrëveshjet e Manchester United nisin nga supozimi se skuadra duhet të jetë gjithnjë në këtë kompeticion dhe shifra paguhet në proporcion në fund të vitit.
Diferenca nuk është e madhe, duke qenë se klauzola është e njohur që në fillim. Bëhet fjalë për një mekanizëm tjetër, edhe psikologjik, i dëshiruar që në kohërat e Sir Alex Ferguson, që u bënte të ditur lojtarëve që “ne duhet të jemi aty” në kompeticionin e më të mirëve dhe, ndër vite, skuadra arrinte sistematikisht në tre vendet e para të Premier League.
Të gjithë lojtarët që paguhen më shumë se 20 mijë sterlina në javë do të kenë një reduktim prej 25% të pagës së tyre, nëse nuk arrijnë të kualifikohen në Champions League në sezonin e ardhshëm.