Rreth 165 milionë euro është buxheti për bujqësinë për vitin e ardhshëm. Shumica e këtyre fondeve, pra më shumë se 136 milionë euro janë ndarë për mbështetje të drejtpërdrejt bujqësore dmth subvencione shtetërore. Ministri i Bujqësisë Lupço Nikolovski, njoftoi se vitin e ardhshëm për mbrojtjen dhe riprodhimin e pyjeve do të ndahen 340 mijë euro që është katër herë më shumë se në vitin 2017.
“Me përkrahjen e planifikuar të drejtpërdrejtë financiare nga 6.6 miliardë denarë do ta avancojmë dhe rrisim prodhimin bujqësor dhe do të sigurojmë pagesën në kohë të subvencioneve dhe pa dallim për fermerët, kur ata kanë më së shumti nevojë. Nëpërmjet programit për zhvillim rural do të investojmë mbi 1.8 miliard denarë në krijimin e produkteve me vlerë të lartë të shtuar, modernizimin e sektorit të bujqësisë dhe zhvillimin e mjediseve rurale” – deklaroi Lupço Nikollovski, ministër i Bujqësisë, raporton Alsat Mk.