Sipas deklaratës së zyrës së shtypit të BE-së, Maqedonisë i duhet me patjetër që t’i lërë mënjanë grindjet e forta politike dhe të formojë një qeveri sa më parë të jetë e mundur, që t’i hapë rrugën vendit në anëtarësimin e tij në BE.
Gjatë një samiti të BE-së që u mbajt në mars, rajoni i Ballkanit ishte një ndër çështjet prioritare të axhendës, duke treguar në këtë mënyrë se, pavarësisht tensioneve të vazhdueshme etnike dhe shenjave të plagëve nga luftërat e viteve 1990, rajoni është një ndër çështjet më të rëndësishme të BE-së, veçanërisht tani që Rusia po mundohet që ta rrisë influencën e saj në këtë rajon.
Gjatë një vizite të komisionerit përgjegjës për zgjerimin e BE-së, Johannes Hahn, ai u shpreh se porta e BE-së për Shkupin është e hapur, por ky i fundit duhet të nxitojë, sepse afati i tij mund të skadojë. Sipas tij, Shkupi ka nevojë për qeveritarë të zotë dhe jo për taktika, sepse ekonomia po dëmtohet rëndë.
Gjatë vizitës së z. Hahn, mijëra maqedonas marshuan në rrugët e kryeqytetit të Shkupit për të protestuar lidhur me ndërhyrjen e BE-së në politikën e vendit. Ne jemi ata, të cilëve na intereson më shumë se kujto tjetër ky vend, prandaj BE-ja duhet të na dëgjojë, u shpreh Bogdan Ilievski, themelues i lëvizjes “For Joint Macedonia” dhe organizues i protestës.
Pranimi i Maqedonisë në BE dhe NATO është bllokuar si pasojë e një grindjeje me Greqinë në lidhje me emrin e një krahine greke veriore të quajtur Maqedoni.
Por ajo ka edhe probleme të brendshme politike në lidhje me qeverinë e ardhshme dhe me pakicën etnike të shqiptarëve të Maqedonisë.
Z. Hahn u takua me liderët e partive maqedonase për të diskutuar mënyrat për të dalë nga kriza politike, duke u munduar që të mos krijoheshin skandale të tjera siç ishte edhe ai i vitit 2015, ku ish-kryeministrit të asaj kohe, Nikolla Gruevski iu desh të jepte dorëheqjen.
Në zgjedhjet e parakohshme në dhjetor, nacionalistët VMRO-DPMNE fituan 51 vende ndaj 49 të demokratëve, duke mos qenë në gjendje që të formonin qeverinë e re pa partitë e vogla etnike të shqiptarëve të cilët përbëjnë 1/3 e popullsisë në vend.
Në shkurt, lideri socialdemokrat, Zoran Zaev, fitoi mbështetjen e tre partive etnike shqiptare pas premtimeve për nxjerrjen e një ligji të ri, i cili do të lejonte një përdorim më të gjerë të gjuhës shqipe, veprim ky që ndeshi në protesta të shumta të maqedonasve nacionalistë në Shkup.
Por, Presidenti Gjorge Ivanov, refuzoi t’i japë mandatin Zaevit për të formuar qeverinë e re.
Çdo ditë që kalon është një humbje e madhe për Maqedoninë, deklaroi Zaev pas takimit me z. Hahn. Ai vazhdoi më tej duke thënë se z. Hahn nuk e ka takuar ende z. Ivanov, përgjegjësin e bllokimit të një koalicioni qeverisës të partive etnike shqiptare dhe socialdemokratëve, një ndër arsyet kryesore të krizës në vend. Por gjatë kohës së vizitës së komisionerit Hahn në Shkup, presidenti i vendit ishte jashtë vendit.
Kjo krizë politike duhet të zgjidhet sa më parë dhe ajo nuk duhet në asnjë mënyrë të shndërrohet në një krizë ndëretnike, u shpreh Ali Ahmeti, lideri i partisë etnike shqiptare “Unioni Demokrat Shqiptar për Integrim”.
Të gjithë duhet të tregohemi të kujdesshëm në krijimin e institucioneve të duhura, në mënyrë të tillë që ato të funksionojnë sa më mirë, vazhdoi më tej z. Ahmeti.