Dështimi i Qeverisë në investimet kapitale është arsyeja kryesore për performansën e dobët të ekonomisë maqedonase. Banka Popullore e uli projeksionin për rritjen ekonomike për këtë vit në 2.3% nga 3.2% të parashikuar më parë. BPRM vlerëson se rreziku politik është zvogëluar, por që rimëkëmbja do të jetë vitin e ardhshëm për kur pritet të përshpejtohen investimet kapitale.
“Një nga rreziqet kyçe vazhdon të jetë aktiviteti i investimeve. Ne ende për tremujorin e tretë parashikojmë rënie të investimeve dhe një hyrje graduale në një zonë pozitive madje në tremujorin e katërt …Për vitin në tërësi, parashikojmë rënie të investimeve, ndërsa në bazë vjetore, realizim të normave pozitive në vitin 2019” – deklaroi Anita Angelovska Bezhoska.
Megjithatë, sa i përket rritjes së borxhit publik i cili në tremujorin e tretë arriti në 48.2% të PBV-së, Guvernatorja thotë se nuk paraqet rrezik për ekonominë. Ajo e porositi Qeverinë të ketë kujdes me qëndrueshmërinë e saj, për çka nevojitet edhe konsolidim fiskal.
“Duke u nisur nga strategjia fiskale e Ministrisë së Financave, që do të thotë reduktim gradual i deficitit buxhetor, i cili është parakusht që të mund të ketë reduktim edhe të borxhit publik, sepse eksporti që duhet të sigurohet nëpërmjet huamarrjes ndërlidhet edhe me shumën e deficitit buxhetor” – theksoi ajo.
Banka Popullore në revizionin vjeshtor i uli projeksionet e rritjes së inflacionit nga 2% në 1.6%. Projeksioni për rritjen e depozitave është në rritje në 10.2% dhe për kredit 8.4% këtë vit. Ata thonë se ende ka disa paqartësi për thellimin e situatës politike në vend. Për vitin e ardhshëm, BPRM-ja parashikon rritje prej 3.5%, për vitin 2020 3.8%, dhe në vitin 2021 të arrijë në 4%.
Qeveria me rishikimin e buxhetit ka ulur projeksionin e rritjes së ekonomisë nga 3.2 në 2.8%, si rezultat i realizimit të dobët të investimeve kapitale.