Shtrenjtimi i bukës do ta rrisë inflacionin, paralajmërojnë nga Banka Popullore e Maqedonisë. Çmimi më i lartë i bukës do ta rrisë çmimin edhe të produkteve dhe shërbimeve tjera për qytetarët. Nga Banka qendrore thonë se ata janë vigjilentë rreth situatës, por nuk mund të ndikojnë në këtë vendim, sepse çmimi rregullohet në tregun e lirë. Analiza e BPRM-së tregon se nga mesi i vitit 2017 ka pasur një trend rritës në çmimet e grurit në bursat botërore, si dhe një rritje e çmimit të naftës së papërpunuar, të cilët janë ndër faktorët që e korrigjojnë edhe çmimin e bukës në pakicë.
Qytetarët ankohen për këtë vendim. Ata thonë se janë të befasuar me këtë lëvizje të furrtarëve. Por pohojnë se një pjesë e mirë e produkteve të tjera në markete shiten me një çmim më të lartë në krahasim me vitin e kaluar.
“Përveç kësaj do të shtrenjtohen edhe gjëra tjera, më treguan persona profesional. Kjo nuk bën, nuk jam i përcaktuar në aspektin partiak, as për të parët, as për të dytët. Pushteti është i ëmbël, çohu ti, të ulem unë”.
“Do të gatuajmë, çfarë të bëjmë. Pesë kilogramë miell kushtojnë 100 denarë, e prej tyre sa bukë do të nxjerrësh?”.
“Gjithçka është shtrenjtë, katastrofë. Pensioni është vetëm për ilaçe dhe fatura, nuk mbërrin asgjë“.
Industria e miellit dhe furrtarëve mori vendim që ta rrit çmimin e bukës për rreth 3 denarë, me arsyetimin se kanë shpenzime më të larta gjatë prodhimtarisë. Mullisët ankohen edhe për rendimentin shumë të dobët të grurit, naftës më të shtrenjtë dhe mungesën e fuqisë punëtore në këtë biznes, e me këtë edhe rritjen e imponuar të pagave në këtë sektor. Ky shtrenjtim i produktit elementar ushqimor vjen pas një pauze prej 7 viteve. Asokohe, buka u shtrenjtua për shkak të çmimit të lartë të rrymës.
*Marrë nga Alsat-MK