Maqedoni, buxheti i vitit 2019-të i fokusuar në skema sociale

03/12/2018 2:04 PM 0 komente

Njohësit e çështjeve ekonomike thonë se projektbuxheti për vitin 2019, është joreal dhe ka për qëllim të joshë kategori të caktuara përmes transfereve apo programeve sociale në funksion të zgjedhjeve parlamentare që do të duhet të realizohen në pranverën e vitit të ardhshëm, eventualisht mbajtjen e zgjedhjeve të parakohshme parlamentare.

Por, ministri i Financave të Maqedonisë, Dragan Tevdovski, duke arsyetuar buxhetin e shtetit për vitin 2019 , ka thënë se ai është zhvillimor, në bazë të së cilit janë paraparë edhe më shumë investime kapitale. Tevdovski ka thënë se në bazë të buxhetit, është paraparë që të rriten pagat e administratorëve për 5 për qind.

Visar Ademi njohës i çështjeve ekonomike, ka thënë për Radion Evropa e Lirë se buxheti i Maqedonisë është buxheti më social në historinë e saj, që nga pavarësia e shtetit për faktin, siç është shprehur ai, se ’36 për qind e buxhetit peshon në transferet dhe programet sociale. Kjo, sipas tij, tregon se buxheti nuk ka komponentë zhvillimore’.

“Nëse e kemi parasysh se vitin e ardhshëm në Maqedoni do të mbahen zgjedhjet presidenciale, ndërsa vendi mund të përballet me zgjedhje të parakohshme parlamentare dhe me këtë agjendë të ngjeshur ndërkombëtare, mendoj se ekonomia duhet të presë edhe pak. Në një vend ku ke mungesë të stabilitetit institucional dhe tërë kohen je në udhëkryq se a do të ekzistojë ose jo shteti, sektori privat është i pari ai që bëhet i ndjeshëm sa i përket investimeve, të mos flasim për kompanitë e huaja”.

“Pra, është e çuditshme në një situatë të këtillë se si planifikohet rritje ekonomike prej 3.2 për qind për të mbushur arkën e shtetit, mos të them se është pamundur. Mendoj se pushteti do të fokusohet në paketa sociale, sepse ata e dinë më së miri se do të ketë zgjedhje në Maqedoni dhe në zgjedhje do të duhet të blihen grupet e interesit dhe si të tillë këtu janë personat që kanë nevojë për asistencë sociale , janë pensionistët dhe janë studentët. Në një situatë të këtillë, nuk shoh rritje ekonomike, sepse këtë nuk na e mundëson modeli ekonomik në këtë formë siç është projektuar buxheti i shtetit”, ka vlerësuar Ademi.

Nga ana tjetër, Goran Rafajllovski, ekspert i ekonomisë, ka thënëpër Radion Evropa e Lirë se sektori privat duhet të lihet të veproj ë lirshëm në kushte të konkurrencës së barabartë, pa ndërhyrjen e politikës dhe në përputhje me rekomandimet e Brukselit.

Rafajllovski konsideron se çdo rregullativë ligjore që ndryshohet ose plotësohet, duhet të sinkronizohet mirë me kushtet, në të cilat ndodhet sektori i biznesit.

“Përfundimisht, disa vite me radhë duhet të synohet që Maqedonia të shënojë rritje ekonomike mbi pesë për qind, në mënyrë që qytetarët ta ndiejnë përmirësimin e standardit jetësor. Që të përmirësohet gjendja ekonomike, çdo qeveri duhet të jetë e fokusuar në përmirësimin e infrastrukturës, pra kryekëput të jetë e fokusuar në realizimin e projekteve në infrastrukturë pavarësisht ndërrimit të pushtetit, projektet duhet të realizohen edhe nëse ka probleme me shpërdorimin e fondeve, gjyqi duhet t’i ndjekë ata që kanë bërë krime. Por, projektet nuk duhet të ndalen në asnjë mënyrë”, ka thënë Rafajllovski.

Në bazë të projektbuxhetit është paraparë që nga arka e shtetit gjatë vitit 2019 të ndahen 426 milionë euro për investime kapitale që është për 28 milionë më shumë nga shuma që ishte ndarë për vitin 2018 (392 milionë euro, por me rebalancin e buxhetit ato u ulën në 300 milionë për shkak të mosstagnimit sa i përket realizimit të investimeve kapitale).

Ekspertët e ekonomisë thonë se “çdo herë në fillim të vitit janë projektuar buxheteprogresive, por pas disa muajsh i njëjti i është nënshtruar rebalancit dhe çdo herë për fat të keq, shkurtimet financiare ndodhin pikërisht në atë që ishte paraparë si investim kapitale duke goditur sektorin privat”.

Do theksuar se bazuar në projektbuxhetin e shtetit, sipas Qeverisë, i cili duhet të miratohet në Kuvendin e Maqedonisë, në arkën e shtetit duhet të grumbullohen 3.4 miliardë euro, derisa planifikohet të shpenzohen 3.7 miliardë euro.

Deficiti buxhetor, sipas këtij projektbuxheti, parashikohet të arrijë në shkallën 2.5 për qind, që sipas Ministrisë së Financave, fakti që deficiti është për 0.2 për qind më i ulët krahasuar me vitin e kaluar, kjo tregon se ekonomia e vendit ngadalë por me hapa të sigurt vendoset në binarë të duhur.

Rritja e ekonomike për vitin 2019, është parashikuar të arrijë në 3.2 për qind, ndërsa inflacioni në 2%.

 

*Marrë nga Radio Europa e Lirë, www.evropaelire.org

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of