Ulet në minimum numri i ofertuese për tenderët e prokurimeve publike. Shkaku, mungesa e transparencës dhe çmimet e larta për tatimpaguesit
Sipas një studimi të kryer nga Qendra për Komunikimeve Civile, (CCC), një në çdo tre tenderë të prokurimeve publike që institucionet shtetërore në Maqedoninë e Veriut publikuan në vitin 2017 përfunduan me nga një ofertues të vetëm. Studimi, Transparenca, Përgjegjshmëria dhe Integriteti në Prokurimin Publik tregoi se numri mesatar i ofertuesve për një tender të tillë duhet të ishte pak më shumë se tre, gjë që tregon mungesën e konkurrencës dhe mundësisht çmime më të larta për tatimpaguesit.
“Kur ka vetëm një ofertues për një tender, nuk ka ankand elektronik. Pra, çmimi fillestar i ofruar nga kompania (ofertuese) edhe pse ai është i ulët, pranohet si çmim përfundimtar, theksojnë autorët e studimit. Rezultatet e studimit tregojnë dallime të theksuara ndërmjet institucioneve shtetërore kur bëhet fjalë për nivelin e konkurrencës në prokurimet publike. Për shembull, për 73% të tenderëve të Ministrisë së Arsimit, kishte vetëm një ofertues.
Në Ministrinë e Drejtësisë, nga ana tjetër, vetëm 10% e tenderëve kanë përfunduar me një ofertues të vetëm. Tenderët e Ministrisë së Qeverisjes Lokale tërhoqën mesatarisht 1.5 ofertues. Tenderët për Sekretariatin për Zbatimin e Marrëveshjes së Ohrit, (SIOFA) patën mesatarisht 4.5 ofertues.
Studimi i mësipërm mbulonte prokurimet publike të 21 institucioneve shtetërore, duke përfshirë këtu Parlamentin, ministritë, sekretariatet dhe organet tjera, si dhe mbulonte gjithsej 1.363 kontrata. Niveli i transparencës dhe përgjegjshmërisë së këtyre organeve qeveritare u vlerësua nëpërmjet 31 kritereve të ndryshme, duke ndërthurur detyrimet ligjore dhe praktikën më të mirë.
Rezultati zbuloi një nivel të mesëm të transparencës, llogaridhënies dhe integritetit në përgjithësi. Mesatarisht, institucionet përmbushën pak më shumë se gjysmën e kritereve të caktuara gjatë gjithë procesit të prokurimit. Institucioni që shënoi edhe renditjen më të mirë ishte ai që plotësoi 70% të kritereve, gjë që do të thotë se asnjë institucion nuk kishte një nivel të “lartë” transparence, që arrihet nëse përmbush nga 89 deri në 100% të kritereve të caktuara. Maqedonia e Veriut operon nëpërmjet një sistemi elektronik të prokurimit publik.
Sipas kësaj, organet shtetërore janë të detyruara të publikojnë të gjithë tenderët, reklamat, kontratat e nënshkruara, si dhe raportet mbi kontratat e përfunduara.
Megjithatë, asnjë nga institucionet e monitoruara nuk publikoi qoftë edhe një raport të vetëm mbi një kontratë të përfunduar. Rrjedhimisht, sistemi elektronik nuk përmban informacion nëse kompanitë fituese kanë kryer shërbimet që kanë premtuar se do të realizojnë apo nëse atyre u janë paguar vlerat e parave të rëna dakord.
Sistemi elektronik gjithashtu kërkon që organet qeveritare të vlerësojnë vlerën e kontratave kur publikojnë një tender. Por studiuesit zbuluan se asnjë nga institucionet e anketuara nuk paraqiti një formulë të besueshme se si ato arrinin të jepnin vlerësime të tilla.
Autorët e studimit thanë se niveli i ulët i përmbushjes së planeve vjetore të prokurimit publik ishte një problem edhe më i madh në Maqedoninë e Veriut. Me fjalë të tjera, organet shtetërore nuk sigurojnë ose arrijnë të marrin gjithçka që kanë nevojë për të kryer shërbimet e tyre.
Situata më alarmante ishte ajo në Ministrinë e Shëndetësisë. Ajo realizoi vetëm 21% të planeve të saj të prokurimit për 2017. Kështu, objektet e kujdesit shëndetësor publik morën vetëm një të pestën e materialeve dhe shërbimeve që u nevojiteshin, të prokuruara nëpërmjet Ministrisë. Situata u përkeqësua kur mbi 77% të tenderëve që kjo ministri publikoi, u anuluan, shpeshherë sepse ofertat e vetme ishin të papranueshme.
Një përfundim tjetër i nxjerrë nga studimi ishte se institucionet që shpenzuan më pak para kishin një nivel më të lartë transparence, ndërsa ato me buxhet të madh, u renditën shumë poshtë në rankimin e transparencës.