Ekspertët kanë qëndrime të ndryshme rreth politikës tatimore, e cila duhet të zbatohet në Maqedoni. Disa prej tyre vlerësojnë se tatimi i sheshtë duhet të vazhdojë edhe në të ardhmen, pasi është efikas. Por, nuk e hedhin poshtë mundësinë për zbatimin e tatimit progresiv, por sugjerojnë që kjo të realizohet përmes masave përkatëse e jo vetëm përmes miratimit të normave fikse tatimore për nivele të ndryshme të të ardhurave.
“Konsideroj se tatimi i sheshtë dha benefite shumë më të mëdha në shtetin tonë. Kjo platformë u realizua në vitin 2007-2008. Më herët kishim tatimin progresiv me disa norma te tatimi personal i të ardhurave. Por me reformat u pa se mund të ulen normat, ndërsa njëkohësisht të rriten të ardhurat tatimore”, tha Borçe Smilevski, nga Qendra për Politikë Tatimore.
Sipas një pjese të ekspertëve, tatimi i sheshtë është treguar si joefikas, në veçanti në pjesën e eliminimit të ekonomisë gri dhe evazionit tatimor, gjegjësisht mospagimit të tatimit.
“Në Kroaci, reformat e paralajmëruara tatimore thonë JO për tatimin e klasave të ulëta, ndërsa të ardhurat mesatare dhe të larta do t’i tatojmë dhe do të sigurojmë të ardhura. Në Maqedoni nuk ekziston mundësi për klasë të mesme, nuk ekziston mundësi të zbatohet diçka te shtresat e varfra”, deklaroi Slavko Lazovski, nga Qendra për Politikë Tatimore.
Partitë maqedonase VMRO-DPMNE dhe LSDM në programet e tyre politike kanë përfshirë masa të ndryshme për politikën tatimore. VMRO-DPMNE mban qëndrimin për tatime të ulëta dhe të sheshta, ndërsa LSDM angazhohet për tatimin progresiv.
/ Alsat