Pas vendosjes së taksës 100 për qind për mallrat serbe, u hap dera për rritjen e produkteve maqedonase në tregun e Kosovës. Biznesmenët thonë se afërsia dhe kërkesat në këtë treg janë kushtet kyçe për eksport më të madh, por që të shfrytëzohet ky moment i nevojshëm është përshpejtimi i procedurave për marrjen e licencave dhe autorizimeve për eksport në Kosovë.
Vetëm në dhjetor të vitit të kaluar, sipas të dhënave të Drejtorisë doganore, eksporti nga Maqedonia në Kosovë është rritur për 41%, ose në tregun kosovar janë eksportuar mallra me vlerë prej rreth 20 milionë dollarë. Në Kosovë kryesisht eksportojmë produkte të naftës, ushqim dhe produkte farmaceutike. Biznesmenët thonë se deri më tani kanë pasur kapacitete të kufizuara, kryesisht për shkak të pasigurisë politike.
*ALSAT MK