Kreu i VMRO-DPMNE-së, Nikolla Gruevski, mori mandatin për formimin e qeverisë së re. Në një takim formal dhe pa prezencën e gazetarëve, presidenti Gjorge Ivanov, emëroi Gruevskin për të formuar shumicën në Parlament dhe me këtë, edhe koalicionin qeveritar. As Ivanov dhe as Gruevski, nuk u prononcuan për mediat.
Megjithatë, disa nga partitë politike shqiptare sërish kanë përforcuar qëndrimin e tyre se nuk do të bëjnë koalicion me VMRO-DPMNE-në. Aleanca për shqiptarët thotë se platforma e përbashkët është po aq e rëndësishme sa kush do të marrë pjesë në formimin e Qeverisë.
Nuk ka ndryshime në qëndrimin tonë se nuk do të marrim pjesë në asnjë kombinim nëse mandatari është Gruevski ose persona që kanë dosje kriminale dhe që janë të përfshirë në hetimet e Prokurorisë Speciale – bën të ditur nga Aleanca për Shqiptarët
Qëndrim të ngjashëm ka edhe BESA.
BESA pranon të marrë pjesë në qeverisje vetëm nëse në të nuk ka figura politike të inkriminuara dhe të dyshuara nga Prokuroria Speciale Publike; nëse pranohet diskutimin për RIDEFINIMIN e sistemit juridiko-kushtetues të shtetit dhe nëse marrëveshja qeveritare do të jetë transparente për publikun dhe e afatizuar – thanë nga Lëvizja Besa.
Bojkotimin e këtij mandatari paraprakisht e kishte njoftuar edhe PDSH-ja.
/Alsat M