Likuiditeti i ndërmarrjeve është rrezikuar, borxhet janë grumbulluar, ndërsa pronarët kanë vështirësi për t’i pastruar obligimet edhe ndaj shtetit edhe ndaj partnerëve, konsiderojnë në Lidhjen e Odave Ekonomike.
“Pasojat në përputhje me analizat tona do të ndjehen në dhjetë vitet e ardhshme, veçanërisht për shkak të ngadalësimit që ekonomia e pësoi vitin e kaluar. Shpresojmë në zgjidhje të shpejtë meqë kjo i nevojitet ekonomisë, gjegjësisht mbajtje të projekteve të mira që biznesi i ka planifikuar, që të mos krijohet ngadalësim i rritjes ekonomike, ndaj edhe ulje të vendeve të punës”, deklaroi Daniella Arsovska, kryetare e Lidhjes së Odave Ekonomike.
Se i pari në goditje është likuiditeti i ndërmarrjeve konfirmojnë edhe biznesmenët që janë anëtarë të Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore. Ata shprehen se një pjesë e anëtarëve të tyre duke shpresuar në ditë më të mira i anulojnë ose zvarrisin obligimet e marrëveshjeve. Drejtori ekzekutiv Fatmir Bytiqi shprehet se rrugëdalja e vetme për ndërmarrjet janë kreditë, por afaristët nuk marrin guximin që t’i marrin duke druajtur se do të kenë problem me kthimin e tyre.
“Në raste pasigurie konsiderojmë se këtë opsion e evitojnë gjithnjë e më shumë kompani edhe atë për dy aspekte. I pari për shkak se BPRM-ja tani ka politikë restriktive monetare, ndërsa në mënyrë plotësuese kanë frikë për shkak se Qeveria nuk gjeti zgjidhje të shpejtë të krizës”, thanw nga Oda Ekonomike e Maqedonisë Veriperëndimore .
Bytiqi shprehet se problem plotësues shkaktoi edhe ngecja e transportit të mallrave nga porti i Selanikut. Sipas tij, përgjegjësia për këtë qëndron edhe në Qeverinë e Maqedonisë e cila në tërësi e ka anashkaluar nevojën e alternativës, si dhe nuk bën asgjë për të shfrytëzuar afërsinë e portit të Durrësit./ Alsat M