Paralajmërimet e Agjencisë ndërkombëtare të rejtingut “Fitch” për rreziqet negative në rejtingun kreditor “BB plus” për Maqedoninë janë të pritshme dhe reale, vlerësojnë ekonomistët.
Sipas Zoran Vitanovit nga Asociacioni i menaxherëve, shqetësuese është se “Fitch” thekson rritjen e borxhit shtetëror, që përfshin borxhin e qeverisë, fondet publike dhe komunat.
“Pas vetëm një viti borxhi i qeverisë nga 38 për qind e PBV-së, u rrit në 41.1%. Kjo është për gati 10 për qind rritje të borxhit. Nëse kemi parasysh se këto janë shifra të mëdha, 10 për qind do të thotë rritje e madhe e borxhit. Këtu nuk flasim më për ngadalësim të ekonomisë, por për rënie të ekonomisë, rënie të lirë të ekonomisë dhe ne nuk bëjmë asgjë, nuk e ridizajnojmë në aspekt makroekonomik për ta parandaluar këtë rënie”, tha Zoran Vitanov- kryetar i Asociacionit të Menaxherëve.
Vitanov paralajmëron se afarizmi i cili duhet të jetë motori i ekonomisë një periudhë më të gjatë ballafaqohet me probleme me arkëtimin, si dhe nuk ndihmon as zgjatja e krizës politike.
“Debitori më i madh në Republikën e Maqedonisë është Republika e Maqedonisë, d.m.th. të gjitha institucionet shtetërore më shumë të holla i kanë borxh ekonomisë. Dhe faktori i dytë, punëdhënësi më i madh në të njëjtën kohë është debitor. Kjo gjendje vetvetiu e paralizon ekonominë dhe e bën ekonomi të varur” , u shpreh Zoran Vitanov- kryetar i Asociacionit të Menaxherëve.
Agjencia “Fitch”, parashikon se rritja ekonomike këtë vit dhe vitin e ardhshëm do të jetë 3.6 për qind, por duke theksuar se pasiguria e zgjidhjes politike do të ndikojë negativisht në aktivitetin ekonomik./Alsat M