Punonjësit në Maqedoni vazhdojnë të jenë në listën e më pak të paguarve në Europë. Të dhënat e fundit të Zyrës Europiane për Statistika (EUROSTAT) tregojnë dallime drastike në koston e fuqisë punëtore në Bashkimin Europian dhe në Maqedoni.
Një orë pune në BE kushton mesatarisht 25.4 euro, ndërsa në Maqedoni 2.3 euro, që do të thotë se punëtorët e Maqedonisë janë 10 herë më të lirë si krahë pune.
Sipas EUROSTAT-it, vitin e kaluar më të paguarit kanë qenë punëtorët në Danimarkë dhe në Belgjikë, kurse më pak të paguar ata në Bullgari dhe në Rumani. Kostoja mesatare për një orë pune në Eurozonë ka qenë 29.8 euro.
Sipas studimit, koston më të lartë për orë pune vitin e kaluar e ka pasur Danimarka me 42 euro. Më pas vijojnë Belgjika me 39.2 euro, Suedia 38 euro, Luksemburg 36.6 euro dhe Franca me 35.6 euro. Më lirë punëtorët për orë pune paguhen në Bullgari me 4.4 euro, më pas në Rumani me 5.5 euro, Lituani me 7.3, Hungari me 8.3 euro dhe Poloni me 8.6 euro.
Nga shifrat e EUROSTAT-it shihet qartë se shumë punëtorë të Maqedonisë për 8 orë punë përfitojnë aq sa fitojnë punëtorët europianë për një orë.
“Shumica e punëtorëve marrin pagë minimale apo pagë e cila është shumë afër minimumit. Ne nuk mund të bëjmë krahasim me vendet anëtare të BE-së në asnjë bazë. As nuk kemi kompani të tilla të fuqishme, e as sistemi ynë ekonomik është aq i fortë sa të durojë paga më të larta. Këtu, gjithsesi, ndikim ka edhe paga minimale e përcaktuar me ligj, e cila është e ulët, dhe rrallë pronari vendos të rrisë me iniciativën e vet në fushat ku është normale të merret pagë minimale. Industria e tekstilit dhe lëkurës, sektori i ndërtimit, prodhimit të ushqimit, bujqësia dhe tregtia janë vetëm disa sektorë ku pagat janë më të ulëta dhe të cilët ndikojnë në vlerën e ulët të orës punuese tek ne. Rritja e pagave këtu do të thotë dhe mesatare më e lartë më tej”, thotë Mile Boshkov, kryetar i Konfederatës së Biznesit të Maqedonisë. / Zhurnal