Vendimi i Qeverisë së Maqedonisë për shlyerjen e borxheve për disa kategori të qytetarëve, ka hasur problematika mes atyre që nuk kanë mundur të paguajnë faturat e energjisë elektrike, të ujit, apo të shlyejnë këstet kreditore ndaj bankave.
Afati i paraqitjes së kërkesave ka skaduar të hënën, ndërsa sipas të dhënave të para, mbi 45 mijë qytetarë kanë aplikuar për të përfituar nga vendimi i Qeverisë, i cili nga njohësit e çështjeve ekonomike është vlerësuar më tepër si masë populiste, se sa si angazhim i saj për t’u dalë në ndihmë familjeve me gjendje të rëndë sociale.
Qytetarët thonë se papunësia dhe të ardhurat e ulëta mujore, kanë bërë që të mos jenë në gjendje t’i paguajnë faturat për vite me radhë.
Kërkesat e paraqitura nga ana e qytetarëve, mësohet nga Radio Europa e Lirë, do t’i nënshtrohen një komisioni të posaçëm, i cili do të vlerësojë nëse ata i plotësojnë kushtet dhe nuk përjashtohet mundësia e refuzimit të tyre.
Ekspertët e ekonomisë thonë se masa e Qeverisë më tepër mund të vlerësohet si populiste se sa si brengosje e saj për fatin e kësaj kategorie të qytetarëve.