Maqedoni/ Padi nga Hellenic Petroleum mbi kontratën e naftës

21/01/2019 9:02 AM 0 komente

Maqedonia shpreson se negociatat mund të bindin kompaninë greke Hellenic Petroleum që të ulë shumën prej 32 milionë dollarësh, që kjo e fundit kërkon si dëmshpërblim përpara Gjykatës së Arbitrazhit në Paris, tha zëdhënësi i qeverisë maqedonase, Mile Bosnjakovski.

“Qeveria po nis një proces negocimi që synon gjetjen e një zgjidhjeje që do të zvogëlojë dëmet potenciale të buxhetit maqedonas, për diçka që është bërë nga qeveria e mëparshme”, tha z. Bosnjakovski. Kjo është mosmarrëveshja e dytë midis kompanisë greke dhe qeverisë maqedonase, ku kjo e fundit e humbi të parën në vitin 2007 dhe për pasojë, duhej të paguante 52 milionë dollarë si dëmshpërblim. Padia e fundit është në vazhdën e polemikave në lidhje me kontratën e vitit 1999, ku një qeveri e mëparshme e udhëhequr nga partia VMRO DPMNE nën drejtimin e Ljubço Georgievskit nënshkruan një marrëveshje me kompaninë greke Hellenic Petroleum për të blerë rafinerinë e naftës, OKTA, jashtë Shkupit.

Në këtë marrëveshje shumë të kritikuar, Maqedonia ra dakord se do të blinte çdo vit rreth 500,000 tonë naftë për ngrohje nga OKTA, gjatë 20 viteve të ardhshme, sasi e cila sipas ekspertëve është më tepër sesa ajo që i nevojitej vendit.

Në vitin 2002, qeveria e re e udhëhequr nga socialdemokratët e hoqi këtë marrëveshje duke këmbëngulur se ishte në dëm të qeverisë maqedonase dhe se mbi të gjitha, ishte e korruptuar. Kjo u ndoq nga një vendim nga Gjykata Kushtetuese, e cila anuloi disa pjesë të marrëveshjes.

Menjëherë pas këtij veprimi, kompania greke, Hellenic Petroleum e paditi qeverinë maqedonase dhe fitoi. Në vitin 2007, Gjykata e Parisit urdhëroi Maqedoninë t’i paguante kompanisë greke shumën prej 52 milionë dollarësh si dëmshpërblim për mosrespektimin e përgjegjësive kontraktuale.

Edhe këtë herë, padia është për të njëjtën arsye, duke iu referuar periudhës pas padisë së parë. Kontrata 20-vjeçare për blerjen e naftës për ngrohje skadon në maj të këtij viti.

Komente

avatar
  Subscribe  
Notify of