Maqedoni/ Planifikimi i dobët pengon projektet e autostradës

09/07/2017 8:04 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:
Autostrada Kercove

Maqedonisë mund t’i duhet të paguajë shuma të mëdha parash për të rregulluar problemet në lidhje me ndërtimin e dy korsive kryesore të autostradës të financuara nga një kredi kineze, duke qenë se puna është ndërprerë përkohësisht.

Përfundimi i dy korsive të autostradës të financuara nga një kredi kineze prej 574 milionë eurosh është i pasigurt për momentin, duke qenë se puna është ndërprerë përkohësisht për të rregulluar problemet me rrugët dhe për të përfunduar shpronësimin e plotë të tokës.
Qeveria konfirmoi se ndërmarrja kineze Sinohydro ka ndërprerë përkohësisht punën në autostradën 57 kilometra të gjatë, e cila do të lidhë qytetin perëndimor turistik të Ohrit me qytetin e afërt të Kërçovës, në rrugën drejt Shkupit, për shkak të nevojës për të ridrejtuar një fragment të shtrirjes së rrugës që rezulton të jetë e planifikuar keq dhe mbi të gjitha e pasigurt.

E njëjta kompani ka ndalur punimet në autostradën që do të lidhë Shkupin, me qytetin e Shtipit, një qendër të rëndësishme ekonomike rajonale. Arsyeja e cituar nga qeveria është shpronësimi ende i pazgjidhur i tokës.
Burime të qeverisë thanë të martën e kaluar për Deutsche Welle se ata kanë frikë se shpenzimet shtesë vetëm për të rregulluar autostradën Ohër-Kërçovë mund të arrijnë në 100 milionë euro.

Pas takimit me ambasadorin kinez Yin Lixian, Kryeministri i ri maqedonas Zoran Zaev, u shpreh se ai së bashku me qeverinë e tij do të përpiqen të kërkojë një zgjidhje të shpejtë për problemet, duke biseduar me kontraktorin kinez dhe me të gjitha palët e tjera të përfshira.
Kreu i Ndërmarrjes Publike për Rrugët Shtetërore, Aleksandar Stojanov, e cila nënshkroi kontratën me Sinohydro, nuk pranoi të jepte asnjë shifër mbi kostot shtesë, por tha se gabime të mundshme priteshin të dilnin në pah. Më e rëndësishmja në këtë moment është që të kontrollohen nëse këto gabime mund të ishin shmangur apo jo, përpara se të caktojnë përgjegjësit. Në projekte të tilla ndodh që të bëhen edhe gabime sepse po flasim për autostrada me gjatësi të madhe, tha Stojanovski.

Ndërtimi i dy autostradave, që ka filluar në vitin 2014, u shty nga qeveria e mëparshme e udhëhequr nga Nikola Gruevski. Fillimisht, autostrada Shkup-Shtip ishte planifikuar të përfundonte deri në fund të këtij viti, ndërsa ajo midis Ohrit dhe Kërçovës ishte caktuar të përfundonte në vitin 2018.

Problemet në këtë sektor kanë dalë në dritë vetëm pas përfundimit të krizës së tejzgjatur politike me ardhjen në krye të një qeverie të re të udhëhequr nga socialdemokratët e Zaevit.

Ndërtimi i dy autostradave është penguar nga kontradiktat që në fillim të projektit, kur qeveria e udhëhequr nga Gruevski mori një kredi të fuqishme nga Banka Kineze e Eksport-Importit në vitin 2013 ndërsa ndërtimi nisi një vit më vonë.
Në mars të vitit 2015, Social Demokratët e atëhershëm të opozitës akuzuan kryeministrin Gruevski se kishte rritur qëllimisht shpenzimet e dy autostradave në mënyrë, që të mund të fitonin shuma të majme parash në mënyrë të paligjshme.

Në sërë provash të publikuara nga opozita, ndër të cilat edhe disa regjistrime komprometuese nxorën në pah bisedën ndërmjet Kryeministrit të asaj kohe, Gruevski, dhe ministrit të Transporteve, Mile Janakieski, duke diskutuar se si mund të “rrëmbenin” 25 milionë euro nga kompania që ishte përzgjedhur për të ndërtuar dy autostradat.

Në maj të këtij viti, Prokuroria Speciale, (SJO), nisi një hetim të koduar me emrin “Trajektorja”, që lidhet me ndërtimin e autostradave.
Prokuroria dyshon se Gruevski dhe tre persona të tjerë kanë abuzuar me postin e tyre duke i shkaktuar buxhetit të Maqedonisë një dëm prej 155 milionë eurosh si pasojë e anashkalimit dhe neglizhencës në procedurat e tenderimit dhe mbi të gjitha, duke shpallur fituese për ndërtimin e dy autostradave një kompani kineze, e cila sipas Prokurorisë ofroi një çmim më pak të favorshëm në krahasim me të tjerët.
Partia VMRO-DPMNE e Gruevskit, e cila ishte në pushtet për më shumë se dhjetë vjet, u shpreh se hetimi në lidhje me projektin e autostradave dhe shumë të tjera si kjo, ishin kryesisht përpjekje të motivuara politikisht nga zyrtarët e lartë të Prokurorisë, të cilët nuk kërkojnë gjë tjetër përveçse diskretitimit e tyre.

 

 

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of

wpDiscuz