Qeveria maqedonase ka ofruar 42 milionë dinarë të Maqedonisë (780, 000 dollarë amerikanë) për 44 projekte për zhvillim të barabartë rajonal, deklaroi zv.kryeministri maqedonas për çështjet ekonomike Vlladimir Peshevski.
Përmes një sërë kriteresh që janë shqyrtuar dhe vlerësuar nga një komision ekspertësh, janë përzgjedhur 44 projekte. Një e treta e projekteve janë në fazën e përgatitjes së raporteve, dokumentacionit teknik dhe të projektit, si dhe studimet e fizibilitetit, për të cilat rajonet dhe komunat sigurojnë fonde dhe burime të tjera financimi – fondet e BE-së, Banka Botërore, buxhetet bashkiake, koncesionet dhe partneritetet private publike.
“Qeveria është përkushtuar fuqimisht në nxitjen e zhvillimit të barabartë rajonal dhe projektbuxheti i 2016-s parashikon për këtë qëllim 300 milionë dinarë”, -shtoi Peshevski.
“Zbatimi me efikasitet i programit për zhvillim të barabartë rajonal dhe ndryshimeve të propozuara legjislative që janë tashmë në procedurë parlamentare, duhet të sigurojnë funksionim më të mirë të qendrave për mbështetje të rajoneve të planifikuara dhe financim më të mirë të tyre”, tha Peshevski.
Ministri maqedonas i Vetëqeverisjes Lokale, Lirim Shabani, theksoi se qeveria ka alokuar dyfishin e fondeve në projektet e financave për këtë vit për zhvillimin e rajoneve, fshatrave dhe zonave me nevoja specifike zhvillimore.