Qeveria ka shtuar shpenzime, të cilat në fakt, nuk ka si t’i mbulojë. Me rebalancin e buxhetit, deficiti buxhetor për këtë vit u rrit nga 3,5 në 3,9 % të prodhimit të brendshëm bruto. Në para, kjo do të thotë se borxhi i qeverisë këtë vit do të jetë 330 milion euro, në vend të 297 milion sa ishte planifikuar fillimisht.
“Këtë hapësirë do ta përdorim për plotësimin e mjeteve, diku 1 miliard e 43 milionë denarë do të sigurojmë për realizimin e Korridorit 10, për ndërtim më intensiv për shkak se ndërtimi atje shkon mirë, dhe ne duam që të mundësojmë gjatë këtij viti, të përfundojnë punimet… do të ketë mjete shtesë edhe në pjesën e të ardhurave sociale”, u shpreh Zoran Stavrevski, ministër i financave .
Megjithatë, se çfarë saktësisht do të financohet në Korridorin 10 dhe nëse është e qëndrueshme rritja e borxhit, nga qeveria nuk dhanë përgjigje. Përgjigjes iu shmang edhe kryeministri Nikolla Gruevski.
Qeveria vendosi që të ardhurat dhe shpenzimet e buxhetit të zvogëlohen për 2%. Më konkretisht, të ardhurat zvogëlohen për 52 milionë euro, ndërsa shpenzimet për 58 milionë euro. . Shkurtime bëhen tek mallrat dhe shërbimet, transferimi i shërbimeve kapitale, ndërsa shuma e zvogëlimit janë të barabarta në të gjitha institucionet.
“Me këtë mini-rishikim do ia dalim të qëndrojmë në zonën e stabilitetit fiskal, të sigurojmë realizimin pa pengesa të projekteve të parashikuara të qeverisë dhe në këtë mënyrë të kemi stabilitet afatgjatë makroekonomik, që është kusht për realizimin e rritjes më të madhe ekonomike për të cilin presim që këtë vit të jetë mbi 3.5 %”, tha Zoran Stavrevski, ministër i financave.
Stavrevski paralajmëroi se në muajin tetor do të ketë rritje pagash në administratën publike, ndërsa vitin tjetër edhe rritje të re pensionesh. Qeveria, para një jave përmes euro-obligacionit mori borxhe në vlerë prej 640 milionë eurosh që të ketë para për kthimin e borxheve që duhet të nisin të paguhen nga viti 2015.