Nëse nuk ka formim sa më të shpejtë të qeverisë së re, biznesi do të ballafaqohet me vitin më të vështirë që nga pavarësia. Si pasojë e krizës politike një numër i madh i punëtorësh në sektorin privat dy muajt e fundit nuk kanë marrë pagat. Por komuniteti i biznesit është edhe para një sfide të madhe, largimit të një numri të konsiderueshëm të fuqisë punëtore.
Drejtori ekzekutiv i Odës Ekonomike të Maqedonisë Veriperëndimore (OEMVP), Fatmir Bytyqi ,thotë se kriza politike e cila tani më një kohë të gjatë po mbizotëron në vendin tonë, ka ndikuar shumë negativisht në ekonominë e vendit.
Sipas tij, jo vetëm që po rrezikohet marrja e pagës mujore, por kuptohet nëse se shpejti nuk do të ketë ndryshim të kësaj situate, shumë firma në sektorin privat do të fillojnë me reduktimin e fuqisë punëtore për shkak të dëmeve të mëdha që po u shkakton kriza politike.
“Maqedonisë për momentin i nevojitet një qeveri sa më shpejt të jetë e mundur, qeveri e cila në vete do të ketë stabilitet politik dhe do të kthen kredibilitetin e saj për të sjellë vendime. Kriza politike që është shkaktuar dy vitet e fundit jo vetëm që nuk pritet të përmirësohet në afat të shkurtër, por përkundrazi edhe më shumë vështirëson funksionimin e kompanive në Maqedoni, pasojat e të cilave tani më kanë filluat t’i ndjenjë shumë firma private përmes vonesave të pagave mujore. Nëse nuk ka formim sa më të shpejtë të qeverisë së re, komuniteti i biznesit është para një sfide të madhe për largimin e një numri të konsiderueshëm të fuqisë punëtore.”, thotë Bytyqi.
Formimi i qeverisë së re, sipas tij, sa më shpejtë duhet të vendosë politikat zhvillimore dhe jo sociale, si dhe te jetë qeveri që do të dëgjojë interesat e komunitetit të biznesit./ Koha