Sipas të dhënave të Agjencisë për punësim, në fund të muajit mars, numri i përgjithshëm i të papunësuarve ka qenë 201.166, dhe nëse këtë numër e krahasojmë me muajin dhjetor të vitit 2015, kemi zvogëlim prej 9.581 personash. Në të njëjtën kohë, edhe statistika shtetërore, mati nivel rekord të papunësisë në tremujorin e katërt 24,6%, që konsiderohet si një nga shkallët më të ulëta të papunësisë, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk. Por, sipas ekonomistëve statistika tregoi edhe një trend – zvogëlohet numri i popullsisë aktive në Maqedoni, që mund të jetë sinjal për atë që një kohë të gjatë alarmohet – “mortaja e bardhë“, ose shpërngulja.
Punësim ose shpërngulje e njerëzve të arsimuar….
Në fund të tremujorit të parë, në Agjencinë për punësim, pa punë kanë qenë më shumë se 14.000 persona me arsim të lartë, 964 magjistra shkencash dhe 31 doktorë shkencash. Në krahasim me dhjetorin e vitit 2015, numri i të papunësuarve me shkollim të lartë është ulur për një numër shumë të vogël prej 623 personash. Te magjistrat e shkencës zvogëlimi i papunësisë është vetëm për 9 persona, kurse numri i doktorëve të papunësuar të shkencës është rritur edhe për një doktor shkence.
Në mesin e qyteteve që udhëheqin sipas numrit të akademikëve të papunësuar është edhe Tetova, ku ka përafërsisht rreth 1.500 të papunësuar me shkollim të lartë, 71 magjistra të shkencave dhe 4 doktorë të shkencave, të cilët janë të evidentuar si të papunë. Për dallim, në Shkup, i cili është qyteti lider sipas numrit të papunëve, ka 2.800 të diplomuar të papunë. Shkallë të lartë të të papunësuarve të personave me arsim të lartë, në krahasim me numrin e popullsisë, ka edhe në Kumanovë, Gostivar, Kërçovë Kratovë, Demir Hisar, shkruan analiza javore ekonomike e Portalb.mk.
Zvogëlimi i ngadalshëm i papunësisë në këtë kategori të qytetarëve, sipas shkallës së arsimimit, është një nga arsyet se pse ata më së tepërmi shkojnë në emigrim, gjë që ndikon drejtpërdrejt në numrin e përgjithshëm të popullsisë aktive në vend.
“Të gjitha këto numra që i paraqet statistika shtetërore bazohen në një kornizë të mostrës, e cila në aspekt të metodologjisë nuk është kontestuese dhe është në pajtim me standardet evropiane, por problemi qëndron në atë se kjo kornizë bazohet në regjistrimin e bërë në vitin 2002, një mostër prej 5.000 familjesh që është shfrytëzuar para 14 viteve. Megjithatë, zvogëlimi i numrit të popullsisë aktive në vend është rezultat i lëvizjes mekanike, dhe nuk mund ta anashkalojmë faktin se njerëzit, sidomos të rinjtë dhe të shkolluarit shpërngulen nga vendi”, thotë për Portalb.mk profesori universitar Dragan Tevdovski.
Nëse bëhet krahasim mes të numrit të njerëzve të papunësuar me arsimim të lartë, të dhënat tregojnë dallime të mëdha në matjen e Agjencisë për punësim dhe Entit shtetëror statistikor, të cilat, sipas ekonomistëve, janë rezultat i dallimeve metodologjike, mirëpo megjithatë ata thonë se numrat dallojnë shumë për vlerësimin e gjendjes së njëjtë. Kështu, në fund të vitit 2015, sipas Agjencisë për punësim, në Maqedoni ka pasur 15.761 persona të papunësuar me arsimim të lartë (arsimim të lartë, magjistra dhe doktorë shkencash), kurse sipas Entit Statistikor ky numër ka qenë 41.424 persona ose një dallim prej 25.663 personash./Portalb