Një total prej 155 milionë dinarësh subvencione për tërheqjen e turistëve të huaj, futja e linjave të reja ajrore të drejtpërdrejta me kosto të ulët në Paris, Frankfurt dhe Bruksel me një ndihmë shtesë prej 135 milionë dinarësh dhe një zgjerim të listës së vendeve – Kina dhe India këtë vit dhe Shtetet e Bashkuara, Britania e Madhe, Kazakistani, Katari, Azerbajxhani dhe Gjermania në vitin 2015 – nga ku turistët potencialë do të mund të tërhiqen, janë këto të rejat e njoftuara nga zv.ministri për Çështjet Ekonomike, Vladimir Pesevski.
Peshevski tha se numri i të punësuarve në turizëm këtë vit, sipas parashikimeve, do të qëndrojë në 10,000 – një rritje e industrisë turistike në PBB-në e vendit me 1.9%.
Sipas ministrit, turizmi në vitet e fundit ka shënuar trende jashtëzakonisht pozitive si rezultat i një sërë masave, projekteve dhe aktiviteteve të kryera nga qeveria.
Me përfshirjen e të gjitha aktiviteteve të lidhura me turizmin, janë krijuar 31,000 vende pune shtesë në Maqedoni, pra 4.5% e numrit të përgjithshëm të punësimeve të regjistruara në vitin 2013. Projeksionet sugjerojnë se shifra do të rritet edhe këtë vit, duke arritur në 32,500 vende pune me pritshmëritë e 40,000 punësimeve që mendohet të krijohen deri në vitin 2024, deklaroi Peshevski, duke shtuar se pjesëmarrja e turizmit në PBB në vitin 2012 dhe 2013 është rritur 1.4%. “Qëllimi është që këto të ardhura të arrijnë 5% rritje të PBB-së së përgjithshme”.
Vitin e kaluar, rreth 700,000 turistë janë raportuar në Maqedoni – një shifër e cila është përcaktuar si një nga objektivat kryesore në përputhje me strategjinë e zhvillimit të turizmit.
“Mes viteve 2006 dhe 2013, numri i turistëve të huaj është dyfishuar me 98%. Numri i përgjithshëm i turistëve, duke përfshirë ata të brendshëm dhe të jashtëm, regjistron një rritje prej 40% në këtë periudhë”, – deklaroi Peshevski.
Kohët e fundit, qeveria ka ndërmarrë disa masa me qëllim zhvillimin e turizmit, duke përfshirë uljen e TVSH-së nga 18 në 5% për strehim, shtrat dhe mëngjes, gjysmë qëndrim dhe qëndrim i plotë, subvencione për ngjarje të ndryshme turistike dhe për të tërhequr vizitorë të huaj dhe ndryshime në ligjet për zonat e zhvillimit të turizmit dhe industrisë së turizmit.