Bashkimi Europian mbështet Maqedoninë në kapërcimin e krizës politike, por për këtë duhet të ketë një zgjidhje nga krerët e partive politike.
Kështu ka deklaruar kryetari i Këshillit të Europës, Donald Tusk, pas takimit në Shkup me presidentin Gjorge Ivanov, me të cilin, përveç krizës politike, ka biseduar edhe për krizën e migrantëve dhe pritjet por edhe përballjen e Maqedonisë me këtë problem të përmasave në Ballkan dhe më gjerë.
“Për dalje nga kriza politike duhet zgjidhje e bazuar në parimet demokratike. Duhet të gjeni një zgjidhje të tillë, të bazuar në të tilla parime. Vetëm një zgjidhje e tillë mund të jetë e qëndrueshme. Kur të gjeni atë, mund të llogaritni në mbështetjen tonë”, ka deklaruar kreu i Këshillit Europian, Donald Tusk.
Ai tha se “mesazhi i fuqishëm i liderëve dhe institucioneve të BE-së është se përkushtimi i Unionit për perspektivën europiane të Maqedonisë është i padiskutueshëm”, por për të arritur këtë, shtoi Tusk, duhet përgjegjësi dhe përkushtim, duke filluar nga vetë presidenti Ivanov.
Nga ana tjetër, presidenti Gjorge Ivanov ka përsëritur qëndrimin sa i përket krizës politike duke theksuar vendosmërinë për të mos hequr dorë nga vendimi për mos mandatimin e liderit social-demokrat, Zoran Zaev për kryeministër. Për këtë, sipas tij, “fajtor” është platforma e partive politike shqiptare.
“Qëndrimi im është i qartë dhe i pandryshuar deri sa të hiqen pengesat juridike dhe politike që qeveria të mos kundërshtohet apo të mos shantazhohet nga askush. Një qeveri e shantazhuar është një qeveri jostabile. BE-ja është garantuese e dy marrëveshjeve, asaj të Ohrit dhe Përzhinos. Imperativ i liderëve partiakë duhet të jetë zbatimi i reformave urgjente, reformave europiane dhe jo zbatimi i platformave që rrezikojnë shtetin, që rrezikojnë sovranitetin e shtetit. Me këtë platformë shkelen marrëdhëniet e mira ndërshtetërore, manipulohen qytetarët, kërkohet ndryshim i Kushtetutës, nxiten përplasje ndëretnike”, ka deklaruar deklaroi Ivanov.
“Maqedonia, edhe në të ardhmen, ashtu si edhe tani, do të veprojë në mbrojtje të sigurisë dhe interesave kombëtare për të gjithë qytetarët e saj. Maqedonia është mbrojtëse e dyerve të Europës dhe tani 19 muaj po kontrollon vendkalimet për hyrjen e migrantëve në korridorin më të madh drejt Europës. Mesazhi im deri te BE-ja është i qartë: Na ndihmoni që t’ju ndihmojmë, duke i ndihmuar Maqedonisë, ju i ndihmoni edhe vetes tuaj”, tha më tej Ivanov duke folur për çështjen e migrantëve që ishte pjesa tjera e debatit me kryetarin e Këshillit të Europës, Donald Tusk, i cili ka mirëpritur angazhimin e autoriteteve të Maqedonisë dhe kontributin e dhënë deri më tani në përballje me krizën e emigrantëve. /REL