Ndërmarrjet vendase do të bashkëpunojnë edhe me kompanitë hungareze, përmes Dhomës Tregtare Kombëtare. Sipas Zv/ministrit për Punë të Jashtme dhe Tregti të Hungarisë Petar Sjatro, kompanitë e vogla dhe të mesme do të jenë motorë që do ta lëvizin përpara ekonominë e të dyja vendeve.
“Qeveria e Hungarisë u angazhua të punojë në avancimin e marrëdhënieve bilaterale me Maqedoninë. Në strategjinë tonë të jashtme tregtare, ky shtet ka vend të posaçëm dhe konsiderohet si partner shumë i rëndësishëm”, tha Sjatro.
“Qëllimi i përfaqësisë në Shkup është që të ndihmojmë firmat hungareze të gjejnë partnerë në Maqedoni dhe të mbështesim aktivitetet me firmat maqedonase”, u shpreh Gabor Kon, Zv/Drejtor i Dhomës Tregtare Kombëtare Hungareze.
Shefi i diplomacisë maqedonase Nikolla Poposki vlerësoi se hapja e Dhomës Tregtare Hungareze vërteton marrëdhëniet e shkëlqyera mes dy vendeve.
“Jam i bindur se ky vendim i zgjuar i qeverisë hungareze do të rezultojë me kontakte intensive mes kompanive nga të dyja vendet, si dhe do të forcojë edhe lidhjet e vendosura mes komunitetit të biznesit”, tha Nikolla Poposki, Ministër i Punëve të Jashtme.
“Kompanitë e Maqedonisë ta shfrytëzojnë maksimalisht mundësinë për vendosjen ose forcimin e partneriteteve tashmë të etabluara me kompani hungareze. Kjo do të hap drejtime të reja në bashkëpunimin tregtar”, tha Bekim Neziri, Ministër i Ekonomisë.
Shkëmbimi tregtar mes Hungarisë dhe Maqedonisë është rreth 64 milion dollarë, ndërkohë që me këtë Dhomë bashkëpunimi, dy vendet synojnë ta çojnë shkëmbimin në 100 milion dollarë