Organi anti-korrupsion i Këshillit të Europës, GRECO, i kërkoi Maqedonisë që të rrisë përpjekjet e saj për të frenuar korrupsionin midis deputetëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve, duke thënë se përparimi deri tani ka qenë zhgënjyes.
Grupi i Shteteve kundër Korrupsionit, GRECO citonte në raportin e dytë të botuar këtë javë, se Maqedonia nuk ka bërë përparim në zbatimin e rekomandimeve për parandalimin e korrupsionit midis deputetëve, gjyqtarëve dhe prokurorëve.
Duke e cilësuar performancën e vendit në këtë fazë “qartësisht zhgënjyese”, GRECO u kërkoi autoriteteve maqedonase të ndërmarrin veprime më të vendosura dhe të fokusuara për të zbatuar rekomandimet e tyre për të luftuar korrupsionin.
GRECO theksoi se asnjë përparim nuk ishte bërë në drejtim të luftës anti-korrupsion në rradhët e deputetëve të Parlamentit.
Përjashtimi i vetëm ishte progresi i bërë në zbatimin e një kodi të ri të sjelljes për ligjvënësit, i cili tani është përsëri në rrugën e duhur pas përfundimit të projektit në fund të vitit 2016. Për sa i përket sistemit të drejtësisë, progresi u cilësua si i kufizuar.
Në raport thuhej gjithashtu tha se nuk kishte “asnjë zhvillim kuptimplotë” që synonte forcimin e sistemit të deklarimit të pasurive dhe interesave për zyrtarët përmes Komisionit Shtetëror për Parandalimin e Korrupsionit, SCPC. Për më tepër, SCPC ishte vetë i përfshirë kohët e fundit në polemika serioze, duke rezultuar në heqjen e shumicës së anëtarëve të tij në mesin e akuzave për keqmenaxhim të pasurive, përfundonte raporti.
Maqedonia këtë verë mori një rekomandim të kushtëzuar për fillimin e bisedimeve të pranimit në BE, por me kusht që vendi të bëjë përparim në disa çështje kyçe, duke përfshirë luftën kundër korrupsionit, mund të shpresohet nisja e bisedimeve të pranimit verën e ardhshme.