Në Maqedoni parashikohet që pavarësisht krizës politike, numri i turistëve pritet të rritet me 20%. Sipas Odës Turistike-Hotelerike (OTH) pranë Lidhjes së Odave Ekonomike të Maqedonisë (OEM): “Ka numër të madh të turistëve të papërcaktuar në Europë dhe Rusi të cilët anashkalojnë disa destinacione. Mendoj se si destinacion mund të tërheqim një pjesë të atyre mysafirëve. Nëse vitin e kaluar ka pasur 856.000, vlerësoj se këtë vit duhet të presim mbi një milion turistë nëse është siç duhet. Shpresoj se nuk do të ketë probleme me situatën, me krizën e migrantëve, me protesta…”, tha në konferencë për shtyp kryetari i OTH-së, Arkan Kerim.
Situata politike në vend, tha Kerim, duhet të zgjidhet pa turbulenca, pasi edhe një incident më i vogël mund tërësisht të na izolojë gjatë pesë viteve të ardhshme nga karta turistike në Europë.
Adut kryesor i Maqedonisë para turistëve të huaj, sipas Kerimit, është se prezantohet si ol inkuziv shtet, pasi është shumë interesante dhe e pranueshme me çmimet.
“Shtatë ditë pushim në Maqedoni do t’ju kushtojë sa një darkë në Dubrovnik dhe për këtë shkak jemi shumë interesant. Kemi kuzhinë dhe natyrë të shkëlqyeshme. Kur tërë kjo do të bashkohet, njerëzit kënaqen”, tha Kerim.
Nga OTH propozojnë të formohen organizata komunale dhe rajonale që do të punojnë në promovimin cilësor të turizmit dhe do të nxisin investime të reja për pasurimin e ofertës.
Sipas Entit Shtetëror për Statistikë, numri i përgjithshëm i turistëve në Maqedoni vitin e kaluar ka qenë 856.843, që paraqet rritje për 5% në krahasim me vitin 2015. Numri i turistëve nga vendi është 346.359, respektivisht ka rritje për 4,8%, ndërsa numri turistëve të huaj është 510.484 dhe ka rritje për 5,1%./