Në zemër të Andaluzisë në Marinaleda (Spanjë) jeton një komunitet i vogël rural me 2700 banorë, që ka mposhtur plagën e papunësisë. Ky është një shembull unik në Europën e goditur nga kriza dhe nga recesioni.
Pas zgjedhjeve të para demokratike në vitin 1979, vendi është drejtuar nga lideri karizmatik Juan Manuel Sánchez Gordillo. Ai është i njohur në Spanjë për mbështetjen që jep për fshatarët andaluzianë dhe luftën kundër ekonomisë kapitaliste.
Juan Manuel Sànchez Gordillo e ka mbështetur politikën ekonomike dhe sociale mbi një parim të suksesshëm: jo më konkurrueshmëri, por bashkëpunim.
I frymëzuar nga idealet e periudhës së socializmit, ai ka ngritur dhe ndërtuar përgjatë 30 vjetëve një sistem ekonomik dhe social që siguron jetesën për të gjithë komunitetin dhe t’u bëjë ballë goditjeve të krizës ekonomike që pikërisht në Andaluzi, në vitet e fundit, ka dhënë pasojat më shkatërruese. Rezultati është papunësi 0 për qind.
Esperanza Martin, zëvendëskryetare, në Marinaleda, tregon se falë kooperativës Humar, 70 për qind e popullsisë siguron të ardhura të mjaftueshme duke punuar tokat, si dhe nga industria e përpunimit.
“Tokat që punojmë janë pronë e qeverisë së Andaluzisë dhe menaxhohen nga kooperativa e Marinaledës. Prodhimet i dërgojmë më pas në Andaluzi, në të gjithë vendin si dhe jashtë shtetit, për shembull vajin e ullirit e eksportojmë në Venezuelë”, – thotë ajo.
Pjesa tjetër e popullsisë punon nëpër dyqane të vogla, zyra apo në shkolla.
Në Marinaleda prodhohen dhe eksportohen speca, fasule dhe vaj ulliri, të cilat kontrollohen në çdo fazë të prodhimit nga vendasit. Papunësia është 0 për qind në krahasim me 30 për qind në rang kombëtar dhe 21 për qind në rajonin e Seviljes. Paga është e njëjtë për të gjithë, pavarësisht punës që bën: 47 euro në ditë, 1128 euro në muaj, për 35 orë në javë.
Edhe shërbimet publike kanë një kosto simbolike: mensa nëpër shkolla kushton vetëm 12 euro në muaj, ndërsa pishina veç 3 euro për të gjithë verën. Policia lokale nuk ekziston. Madje as nuk është e nevojshme. Nuk ka kriminalitet. Ashtu si papunësi.