Është Kryeqyteti i parë Afrikan i Kulturës, një ndërthurje dehëse e traditës me modernitetin, pushtues dhe poetik – ky është Marrakeshi.
I famshëm për sheshin e tij qendror, Souk-un (treg për të bërë shopping) dhe pallatet, sot ka një arsye më shumë për ta vizituar, duke qenë se në vitin 2020 do të jetë Kryeqyteti i parë afrikan i Kulturës.
Ky vlerësim vjen falë traditës arkitekturore, kulturore dhe artistike… dhe gjërat për të parë janë të shumta….
Edhe pse është një destinacion tashmë mjaft i njohur nga turizmi ndërkombëtar, punimet për të përmirësuar infrastrukturën dhe për të rikonstruktuar disa elemente të Medinës (pjesa e vjetër e qytetit) vazhdojnë.
Kjo është arsyeja që ka shtyrë një numër gjithnjë e më të madh turistësh nga Europa dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës të vizitojnë këtë qytet, me një rritje me 15% nga viti 2017 në 2018.
Çfarë mund të bëni në Marrakesh?
Sheshi qendror Jemaa el-Fna
Ju nuk mund ta humbni kurrsesi një vizitë në sheshin kryesor të qytetit të Marrakeshit. Megjithëse ka humbur një pjesë të bukurisë së saj të fillimit, shfaqjet dhe aktivitetet në Jemaa el-Fna meritojnë të shihen.
Pasi të gjeni vend në një stol, nuk duhet të bëni gjë tjetër veçse të shijoni spektaklin – në atë që të gjithë e quajnë “La Place” – një argëtim që zgjat deri në mesnatë. Disa nga argëtimet në mbrëmje në Jemaa el-Fna nuk kanë ndryshuar shumë gjatë mijëvjeçarit të fundit, siç do ta kuptoni lehtësisht duke parë astrologët, tregtarët e porcioneve magjike dhe kërcimet e ndryshme orientale.
Ville Nouvelle (Qyteti i ri)
Por, përveç bukurive tradicionale të Marrakeshit, në Ville Nouvelle (Qytetin e Ri) ju me siguri do të mbeteni të mrekulluar. I pasur me parqe, bare dhe restorante, galeri të artit bashkëkohor, Guéliz është lagjja e shopping dhe artit bashkëkohor ndërsa Hivernage është një zonë rezidenciale ekskluzive, në jug të së cilës ndodhen kopshte të mëdha, me disa nga ndërtesat më të bukura ‘art deco’.
Jardin Majorelle
Yves Saint Laurent i dhuroi Marrakeshit, qytetit me të cilin u dashurua, Jardin Majorelle në vitin 1960. Saint Laurent së bashku me partnerin e tij Pierre Bergé e blenë kopshtin dhe vilën në vitin 1980 me qëllimin për ta ruajtur sa më mirë vizionin e pronarit të parë, piktorit Jacques Majorelle. Në kopsht rriten 300 specie botanike nga pesë kontinentet. Pas vdekjes së stilistit, në vitin 2008, hiri i tij u shpërnda këtu dhe në vitin 2017 në Jardin Majorelle u përurua Musée Yves Saint Laurent de Marrakech, që sot është një qendër e dizajnit.
Një shëtitje në galeritë e artit në Guéliz
Në lagjen Guéliz, e cila ndodhet në Ville Nouvelle, një brez i ri artistësh po shfaq talentin dhe origjinalitetin e tij. Panorama dinamike artistike bashkëkohore e Marrakeshit është pasqyrë e një qyteti që ecën në një hap me kohën.
Niseni nga Passage Ghandouri, një rrugë e mbushur me galeri të vogla arti. Ndër to, më e njohura është Matisse Art, ku artistë të njohur vendas si Aziz Abou Ali e Mahi Binebine, kanë ekspozuar punët e tyre. Pasi të kaloni rrugën vizitoni Galerie Noir sur Blanc, ku një koleksion i përhershëm i veprave të artistëve marokenë plotësohet nga ekspozita të përkohshme të artistëve lokalë.
Pas saj, vizitoi Gallery 127, një hapësirë industriale-elegante, të cilën do ta gjeni duke ngjitur disa shkallë të konsumuara nga koha. Në galeri janë ekspozuar fotografi bashkëkohore dhe të së shkuarës nga artistë ndërkombëtarë. Mbylleni vizitën tuaj në Galerie Rê, një hapësirë ku shfaqin punimet e tyre artistë të rinj nga gjithë Afrika veriore.
Nuk është ende e qartë se çfarë do të sjellë nominimi i Marrakeshit si Kryeqyteti i parë afrikan i Kulturës. Por viti i ardhshëm mund të sjellë një bum prenotimesh.
Burimi: Lonely Planet