Zyrtarët e BE-së “po mbajnë frymën” mbi fatin e marrëveshjes tregtare midis Kanadasë dhe BE-së, Ceta, për të cilët diplomatët thonë se do të vendosë politikat e ardhshme të tregtisë së Bashkimit Europian.
Gjykata Kushtetuese gjermane, pritet të vendosë sot (13 tetor) mbi legjitimitetin e marrëveshjes pasi tri OJQ gjermane paraqitën një padi të nënshkruar nga 125 mijë njerëz.
Ata thanë se marrëveshja do të dëmtojë të drejtat e punëtorëve dhe do të përkeqësojë standardet e konsumatorëve.
Ministri gjerman i ekonomisë, Sigmar Gabriel, i cili siguroi në muajin e kaluar mbështetjen për marrëveshjen nga Partia Social-Demokratike SPD, paralajmëroi se nëse gjykata do të vendosë në favor të qytetarëve që kanë nënshkruar peticionin, “do të ishte një katastrofë për Europën”.
Një pendesë e papritur mund të vijë edhe nga Belgjika.
Sipas ligjeve të BE-së, nëse vendet anëtare nuk bien dakord, atëherë Ceta do të votohet me një shumicë të cilësuar në këshillin e BE-së.
Kufizimet për vizë
Një çështje tjetër që mund të penalizojnë marrëveshjen Ceta është kërkesa për vizë e Kanadasë për qytetarët bullgarë dhe rumunë.
Bullgaria dhe Kanadaja kanë arritur një marrëveshje politike në lidhje me çështjen, për të hequr kërkesat për vizë gradualisht për qytetarët bullgarë.
Sipas burimeve nga qeveria bullgare cituar nga Reuters, Kanadaja do prezantojë heqjen e vizave disa kategori qytetarësh, p.sh. për biznesmenët, për ata që kanë shkelur më parë në Kanada apo për ata që posedojnë një vizë amerikane.
Kurse bisedimet me Rumaninë akoma vazhdojnë. Sipas burimeve në Bruksel, Bukureshti dëshiron të ketë udhëtime pa vizë për të gjithë qytetarët pa kufizim në kohë.
“Kanadaja është e angazhuar për të bashkëpunuar me Rumaninë, Bullgarinë dhe BE-në për të arritur qëllimin e përbashkët të liberalizimit të vizave midis Kanadasë dhe vendeve anëtare të BE-së”,- tha përfaqësuesi i Kanadasë për BE-në.
“Do të ishte e pamatur që të komentoheshin hapat e ardhshme në këtë moment”,- shtoi ai.
Kanadaja, gjithashtu nënvizoi se Ceta mbetet një nga prioritetet e saj, por kujtoi se politika e vizave nuk është pjesë e asnjë prej marrëveshjeve të tregtisë, si dhe asnjë diskutim mbi nevojën e vizave nuk lidhet me tregtinë.