Marrëveshja mes ISSH dhe Tatimeve pa efekt, KLSH: Mungojnë 1.8 milionë listëpagesa për të punësuarit

14/09/2018 11:00 AM 0 komente
TEMA TE NGJASHME:

Të paktën 1.8 milionë listëpagesa që përcaktojnë pagat dhe kontributet që paguhen për të rezultojnë të mos jenë transferuar nga Drejtoria e Përgjithshme e Tatimeve tek Instituti i Sigurimeve Shoqërore.

Një auditim i fundit i Kontrollit të Lartë të Shtetit pranë këtij instituti ka dalë në një sërë konstatimesh, mes të cilave edhe mungesa e informacionit që duhet të sigurohet në mënyrë periodike nga Tatimet.

“Konkretisht, në fund të vitit 2017 rezultojnë gjithsej 1.810.880 listëpagesa të munguara dhe nga këto: 1.703.858, ose rreth 94% janë listëpagesa të munguara të të vetëpunësuarve (biznes i vogël); 101.226, ose rreth 6% janë listëpagesa të munguara të biznesit të madh (firma private); 5.796 janë listëpagesa të munguara të subjekteve publike (buxhetorë dhe jobuxhetorë)” vlerëson KLSH.

Por problematika me listëpagesat e munguara duket se është më e hershme dhe në disa raste është kthyer edhe në pengesë për llogaritjen e pensionit për persona të caktuar që kanë mungesë të dhënash. Një situatë të tillë është evidente në vitin 2014, por vetëm për muaj specifikë.

“Konstatohet se ka mungesa në numrin e listëpagesave vjetore që duhet të dërgojë DPT-ja në ISSH dhe veçanërisht këto të identifikuara për vitin 2014, ku mungojnë një sasi e konsiderueshme e tyre dhe kryesisht për muajt tetor dhe nëntor të këtij viti. Megjithëse është vënë në dijeni zyrtarisht DPT-ja dhe po merren masat që ky informacion të kalojë në ISSH, teknikisht kjo çështje vijon të jetë në proces, duke krijuar problematika në përdorimin online të kësaj baze, sa i takon caktimit të pensioneve të personave që kanë mungesa të dhënash”,  vlerëson raporti i auditit i Kontrollit të Lartë të Shtetit.

Sipas këtij institucioni, problematika konstatohen edhe në zbatimin e marrëveshjes midis DPT dhe ISSH, lidhur me procedurat dhe rregullat për dërgimin, apo transferimin në formë elektronike të informacionit për pagesat e kontributeve sipas subjekteve dhe individëve, komunikimin midis palëve mbi informacionin statistikor, si dhe çështjeve që dalin pas inspektimit nga ISSH të të dhënave mbi kontributet të proceduara në llogaritë individuale.

Periudha e auditimit për aktivitetin e Institutit të Sigurimeve Shoqërore është nga 1 janari 2017 deri në 31 dhjetor 2017.

 

Share on FacebookTweet about this on TwitterShare on Google+Share on LinkedInEmail this to someonePrint this page

Komente

Jeni i pari për të shkruar një koment!

Notify of
avatar
wpDiscuz