E PERDITESUAR Mes Shqipërisë dhe Serbisë sot janë nënshkruar tre marrëveshje, të cilat janë firmosur nga dy kryeministrat respektiv, ashtu sikurse i fundit edhe nga ministri i Zhvillimit Ekonomik Ahmetaj dhe homologu i tij serb.
Ministri i Zhvillimit Ekonomik Ahmetaj, në emër të Këshillit të Ministrave të Republikës së Shqipërisë dhe Ministri i Financave të Republikës së Serbisë Dušan Vujovic, nënshkruan marrëveshjen “Për ndihmën e ndërsjelltë për parandalimin, hetimin dhe dënimin e shkeljeve doganore”. Sipas qëllimit të kësaj marrëveshje, Palët Kontraktuese, nëpërmjet Autoriteteve të tyre Doganore dhe në përputhje me dispozitat e përcaktuara në këtë Marrëveshje, do t’i mundësojnë njëra-tjetrës ndihmë të ndërsjellë, me qëllim që:
1) të sigurojnë se legjislacioni doganor është zbatuar në mënyrë korrekte; dhe
2) të parandalojnë, hetojnë dhe luftojnë shkeljet e legjislacionit doganor.
E gjithë ndihma në kuadrin e Marrëveshjes në fjalë nga secila Palë Kontraktuese do të jepet në përputhje me legjislacionin kombëtar dhe brenda kompetencave dhe mundësive të Autoritetit të vetë Doganor.
Kjo Marrëveshje synon vetëm ndihmën e ndërsjellë administrative ndërmjet Palëve Kontraktuese; dispozitat e kësaj Marrëveshjeje nuk i japin të drejtë asnjë personi privat që të marrë, pengojë ose përjashtojë asnjë provë ose të pengojë ekzekutimin e ndonjë kërkese.
Gjithashtu u nënshkruan edhe dy marrëveshje të tjera për lëvizjen e qytetarëve drejt të dy vendeve vetëm me kartat e identitetit dhe rininë.
Në të njëjtën kohë, bizneset shqiptare, rreth 15 në numër që ishin pjesë e delegacionit, morën pjesë në forumin e biznesit organizuar nga Dhoma e Tregtisë e Serbisë. Forumi pati një pjesëmarje të gjerë dhe u diskutuan çështje të rëndësishme në fushën e energjisë, tregtisë, ndërtimit, turizmit, bujqësisë, manifakturës, agroindustri, produktet farmaceutike etj.
Diskutimet u fokusuan në rëndësinë e bashkëpunimit dypalësh për nxitjen e bashkëpunimit ekonomik dhe tregtisë mes dy vendeve, e cila ka ardhur në rritje. Bizneset e të dy vendeve vlerësuan pozicionin e përshtatshëm gjeografik të Shqipërisë për daljen në det dhe si një urë e rëndësishme lidhëse me tregun europian dhe Serbia si një urë lidhëse me hapësirat ekonomike e tregtare të Europës lindore e më gjerë.
Përfaqësuesit e Ministrisë së Zhvillimit Ekonomik ftuan bizneset serbe të vijnë në Shqipëri vitin e ardhshëm për forumin e biznesit që do të organizohet nga pala jonë.
Vizita e delegacionit zyrtar do të vijojë edhe gjatë pasdites, me takimin në Bashkinë e Beogradit ndërsa ditën e martë me vizitën në Luginën e Preshevës.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.