Oda Ekonomike Gjermano-Kosovare do t’u japë mundësi të rinjvë në Kosovë që të arsimohen apo të shtojnë aftësitë mësimore në Gjermani.
Ky vendim është si rezultat i marrëveshjes së fundit, të nënshkruar nga OEGJK me Ministrinë e Punës dhe Mirëqenës Sociale, rreth Projektit për aftësim dhe arsimim profesional të të rinjve në Gjermani.
Kryetari i Odës Ekonomike Gjermano-Kosovare, Samir Krasniqi, ka vlerësuar se ky projekt u jep mundësi shumë të rinjve të Kosovës që të shkollohen dhe të punojnë njëkohësisht në Gjermani. Ai ka sqaruar më tej, se qëndrimi i kosovarëve në Gjermani do të jetë për 3 vjet e gjysmë dhe të njëjtit do të mundë të kthehen në Kosovë, por edhe mund të përfitojnë të drejtën e tyre që të angazhohen me punë qoftë në kompanitë, ku do aftësohen, apo edhe në ndërmarrjet tjera gjermane.
Kurse ministri i Punës dhe Mirëqenies Sociale Abrashi, tha se ky projekt do të ndikojë shumë pozitivisht në orientimin e mirëfilltë të punëkërkuesve kosovarë. Abrashi e vlerësoi si një hap shumë të rëndësishëm hapjen e mundësive për të rinjtë kosovarë që të bëhen pjesë e barabartë e tregut evropian. ”Ne do të vazhdojmë të jemi të përkushtuar për gjetjen e mundësive për punësim edhe në vendet tjera evropiane dhe më gjerë”, tha Abrashi.
Ky është artikull ekskluziv i Revistës Monitor, që gëzon të drejtën e autorësisë sipas Ligjit Nr. 35/2016, “Për të drejtat e autorit dhe të drejtat e lidhura me to”.
Artikulli mund të ripublikohet nga mediat e tjera vetëm duke cituar “Revista Monitor” shoqëruar me linkun e artikullit origjinal.